Futboll

Juventus-Inter, dueli për kampionin e dimrit në Serie A

Është derbi i Italisë dhe çfarëdo që të ndodh do të jetë një nga ndeshjet më të zjarrta dhe të luftuara në futboll. Inter udhëton këtë të premte dhjetori drejt Torinos për të matur forcat me kampionët dhe rekordmenët e Juventus. Në fushën e “Juventus Stadium” zbresin dy ekipet ndoshta më të forta të momentit në Itali. Nëse për Juventus ky përkufizim nuk ka ndonjë dyshim, pasi prej 7 vitesh fiton titullin, Inter është në provë. Ekipi i Luçiano Spaletit është në provën e parë, ku duhet të tregojë se është ekipi anti-juve.
Një sfidë që brenda i ka të gjitha, armiqësinë mes tifozëve, luftën për titullin, dëshirën për sukses, por edhe ballafaqimin e dy sulmuesve më të mirë të kampionatit, Kristiano Ronaldo dhe Mauro Ikardi.

“Ne mund ta vendosim Juventusin në vështirësi, duke qenë ekip i bashkuar për 90 minuta. Duhet të jemi të shkurtër në fushë dhe të ngushtojmë hapësirat. Bardhezinjtë kanë fituar dominimin ndaj kundërshtarit, por, gjithashtu, dinë se si të vuajnë. Qëndrimi i tyre nuk ndryshon kurrë. Interi do të ketë nevojë për guxim dhe personalitet.”- ishin këto fjalët e Luçiano Spaletit në konferencën para ndeshjes, që tregojnë ambicien e zikaltarëve, por njëkohësisht edhe vështirësinë që ka përpara.

Por edhe në anën tjetër, Masimiliano Allegri nuk ka dashur që ta fryjë shumë skuadrën e tij, duke rritur vlerat e ekipit zikaltër, mbase përtej reales. “Është një ndeshje e rëndësishme, si nga ana emocionale, teknike edhe taktike duhet të jemi të përgatitur. Ne do të përballemi me një ekip që është rritur shumë si nga ana e vetëvlerësimit ashtu edhe në rezultate. Së bashku me Napolin, ata janë rivalët kryesorë të Juventus-it për momentin. Ne duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë shumë të qetë.”

Nëse trajnerët janë treguar të kujdesshëm në deklaratat e tyre tek tifozët dhe atmosfera është më e zjarrtë se kurrë.  Inter do të shkojë drejt Juventus Stadium me një objektiv të vetëm për të marrë tre pikët. Pas atij barazimi zhgënjyes me Romën javën e fundit zikaltërit do duhet të kthehen te tre pikët dhe ku ka më mirë se sa përballë Juventus, kryesues i kampionatit. Fakti që Juventus ende nuk e ka pësuar humbjen e parë për këtë sezon mund të kthehet një motiv shtesë për skuadrën e Spaletit.

Nga ana tjetër Juventus është si një makineri që nuk njeh rivalë në kampionat dhe kjo përballje me Inter shikohet si tre pikëshi i radhës. Me një Kristiano Ronaldo në superformë, Juventus do të tentojë të mposhtë Inter, për t’u shkëputur në vendin e parë.
Ndeshja do të startojë këtë të premte, duke filluar që nga ora 20:30 dhe të gjithë tifozët shqiptarë do të mund ta ndjekin në platformën Digitalb në kanalin Supersport 2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë