Menaxhim

Mashtrimi me mikrokreditë / BSH ndryshon rregulloren për subjektet financiare

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë ka bërë ndryshime të rëndësishme në rregulloren e subjekteve financiare pas skandalit me mikrokreditë.

Në rregulloren së cilës tashmë i ka ndryshuar dhe emri, BSH rregullon procesin e revokimit dhe likuidimin e subjekteve financiare jobanka.

“Banka e Shqipërisë, në rast të revokimit të licencës së subjektit financiar jobankë sipas përcaktimeve të kësaj rregullore, fillon menjëherë procesin e likuidimit të portofolit të kredive të krijuar nga ushtrimi i veprimtarisë financiare në bazë të licencës”, thuhet në ndryshimet e reja.

Fill pas revokimit, BSH nis procesin e likuidimit, në bashkëpunim me ministrinë e Drejtësisë dhe vendosin likuidatorin.

Likuidatori raporton në Regjistrin e Kredive të gjitha kreditë financiare, në varësi të dokumentacionit të gjetur dhe të ecurisë së procesit të likuidimit.

Kjo është ndërhyrja e dytë e BSH-së në pak ditë, pasi një skemë mashtrimi e kompanive të mikrokredisë MCA dhe Final, e vendosi atë përballë akuzave për mosveprim. Pak kohë më parë , Banka përcaktoi se çdo subjekt financiar jobankë duhet të regjistrohet si shoqëri aksionare, sh.a dhe jo më si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar sh.p.k.

Ndërkohë që çështja është në duart e Prokurorisë, Guvernatori i BSH-së, tha se banka nuk ka qenë në dijeni të mashtrimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë