Menaxhim

Abuzim në ujësjellësin e Vlorës, Balluku: Dosjet janë gati, do t’i çojmë në SPAK!

Nga Gazeta ‘Si’-Socialistët kanë gati një tjetër dosje për në SPAK… jo për kundërshtarët opozitar, por në Bashkinë që drejtohet po nga një socialist. Bëhet fjalë për Ujësjellës Kanalizime në Vlorë (UKV), që sipas zv.kryeministres Belinda Balluku, po abuzon në kurriz të qytetarëve.

Ajo thotë se ka një përmirësim të të ardhurave dhe në humbjen e ujit të pijshëm në rrjet nga Bashkitë e tjera, përveç Vlorës. Për këtë arsye Balluku paralajmëroi se dosja e shkeljeve në këtë ndërmarrje është kopsitur dhe se do ta dërgojë personalisht atë në SPAK.

“Sot kemi një përmirësim nivelesh të të ardhurave, kemi përmirësimin e humbjeve të ujit të pijshëm në rrjet. E vetmja ndërmarrje që ka një problem është ajo e Vlorës, por që të abuzohet në kurriz të qytetarëve të Vlorës, kjo është diçka që ju duhet ta dini zyrtarisht, kjo nuk është një çështjet që do lihet në sirtarë, por do ndiqet ligjërisht për të gjithë të përfshirët. Kjo është detyra ime personale dhe stafit të Ministrisë dhe do t’i shkohet deri në fund. Do çoj dosjen në SPAK. Kemi dy muaj që i kemi shkuar deri në rrënjët e fundit, deri aty ku është ngjizur kjo skemë. Dosjet janë gati”, tha Balluku.

Një mesazh ajo pati edhe për punonjësit, që i quajti një grup të strukturuar kriminal.

“I keni hyrë detit në këmbë. I ka rënë në qafë popullit të Vlorës, bizneseve, pensionistëve të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë dhe për këtë do përgjigjeni të gjithë. Ky është grup i strukturuar, i cili ka vepruar në bashkërendim të plotë në kurriz shqiptar dhe në kurriz të popullit të Vlorës. Sot UKV është në risk për të mos ofruar dot shërbime në kulm të sezonit”, tha ajo.

Në fund, paralajmërimin e mbylli duke ua bërë të qartë të gjithëve, “Zero tolerancë për këdo që abuzon me detyrën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë