Nga Gazeta Si – Me 5 vota pro dhe 4 kundër, Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin prej 80 faqesh që i hap rrugë menaxhimit të qytetit antik të Butrintit nga fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit (AADF).
Deputetja demokrate Ina Zhupa, e cila ishte dhe iniciuesja e dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të marrëveshjes për menaxhimin e parkut të Butrintit ka thënë në një deklaratë se nuk do të reshtë betejën për të ndalur këtë marrëveshje.
Hapi tjetër do të jetë SPAK ndërsa nënvizon se vendimin, të cilin vijon ta quajë antikushtetues do ta çojë deri në Strasburg.
“E para, tashmë që kemi edhe vendimin, do të duhet që t`i drejtohemi me një padi SPAK-ut për të gjykuar SPAK një veprimtari e organeve shtetërore që në momentin e fillimit të kësaj marrëveshje. Veprimtarinë e AADF-s në lidhje me këtë marrëveshje dhe veprimtarinë e 3 gjyqtarëve të cilët për ne janë në konflikt të pastërt interesi”, thotë Zhupa, duke shtuar ka një pyetje që do t’i drejtohet SPAK-ut.
“A quhet korrupsion nëse paguhet 250.000 euro për të hartuar një ligj nga i cili përfiton vetë krijuesi i ligjit dhe pastaj merr Butrintin? Fondacioni AADF ka paguar 250.000 euro për të bërë ekspertizën e ligjit për trashëgiminë kulturore që i hapte rrugë koncesionit, ka paguar planin e menaxhimit dhe e ka marrë vetë Butrintin. Nëqoftëse kjo konsiderohet e ligjshme për SPAK-un të na e thonë dhe të bëhet një metodë pune ku gjithë oligarkët, të gjithë fondacionet të vijnë të blejnë ligje dhe ta kthejmë Kuvendin në një dyqan ligjesh sipas interesave të oligarkëve dhe të marrin pas Butrintit këdo pronë shtetërore që duan”.
Gjithashtu bashkë me avokatët, thotë Zhupa, janë duke punuar me idenë që mund t`i drejtohen me një padi në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg sepse bëhet fjalë dhe për shkelje dhe të të drejtave të njeriut dhe “gëzimi i përbashkët i trashëgimisë kulturore është një e drejtë e njeriut por gjithashtu dhe për shkak të shkeljes proceduriale që kanë bërë në gjykimin kushtetues, Gjykata Kushtetuese, kryesuar nga zonja Holta Zacaj”, përfundon Zhupa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




