Nga Gazeta ‘SI’ – Një vendim i fundit i qeverisë parashikon të lehtësojë barrën e detyrimeve për ndërtuesit.
VKM-ja e miratuar thotë se ndërtuesit, 3% e sipërfaqes ndërtimore që kanë detyrim ligjor ta japin për strehim social, do të mund ta japin dhe në lokacione të tjera, jo domosdo në vendin ku po ndërtojnë.
Por sipërfaqja që jepet, duhet të jetë në të njëjtën vlerë monetare, sipas çmimeve referencë të ndërtesës në zhvillim, dhe të jetë e pajisur me dokumentacion pronësisë.
“Sipërfaqen takuese, në rast pamundësie për ta dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, subjekti privat e jep atë menjëherë në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi, në përputhje me normat e projektimit të banesave, përfunduar dhe certifikuar me dokumentin e pronësisë, duke e ekuivalentuar në vlerë monetare, sipas çmimit referues të pasurisë paluajtshme “ndërtesa” për zonën ku po ndërtohet, për të cilin është dhënë leja ndërtimore”, thuhet në VKM.
Kontrata përfundimtare, që nënshkruhet midis njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe subjektit privat për kalimin e sipërfaqes ndërtimore, në favor të fondit publik të banesave sociale, regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në rast se kalimi i sipërfaqes ndërtimore është e dhënë në vlerë leku, fondi kalon nga investitori në llogarinë e posaçme të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në favor të fondit publik të banesave sociale.
Në tetor të vitit të shkuar, kryeministri Edi Rama i tha ndërtuesve se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë asnjëherë. Rama tha se aty ku ndërtohet, aty duhet të jepet dhe pjesa për strehimin social.
“Ato janë sipërfaqe të cilat unë mendoj që bashkia e Tiranës nuk duhet t’ju tolerojë që t’i jepni në vend tjetër një herë, si fillim. Dhe ky është një diskutim që e kam bërë me bashkinë e Tiranës. Ju duhet t’i jepni ato 3 % aty ku ndërtoni, në këndvështrimin tim. Jo ndërto ti këtu dhe ma jep 3 % në fund të botës. Se ca njerëz do jetojnë në qendër dhe janë ca të tjerë, që i ka pjellë lopa, që do rrinë në fund të botës që të kenë afër delen. Kjo nuk është e drejtë dhe ne do ta shikojmë dhe këtë. Që 3 % të jepet aty ku ju ndërtoni, aq sa i takon njerëzve në Tiranë, të cilët duhet të përfitojnë nga ato programe”, tha kryeministri në një takim me bizneset e ndërtimit në tetor 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.