Menaxhim

Durrësi, Shijaku, Kruja e Kavaja do paguajnë më shumë për ujin

Nga Gazeta ‘SI’ – Uji do të jetë më i shtrenjtë dhe për rajonin qendror të vendit.

Vendimi i fundit i Entit Rregullator të Ujit, ERRU, ka rritur çmimin për Durrësin, Shijakun, Krujën, Rrogozhinën dhe Kavajën.

Konkretisht për Durrësin dhe Shijakun që kanë pasur gjithmonë çmimin më të lartë të ujit, është vendosur të qëndrojë e njëjta vlerë, 70 lekë/m3 për familjarët. Nga ana tjetër, për subjektet publike do të jetë 16.6% më i shtrenjtë ndërsa për privatët, 7.7% më i shtrenjtë.

Në Kavajë çmimi i furnizimit me ujë për familjet sipas vendimit të ri parashikohet të rritet me 31.5 për qind. Nga 30 lekë/m3 ata do të paguajnë 50 lekë m3. Institucionet publike nga ana tjetër do të paguajnë një çmim 75% më të lartë se çmimi aktual kurse bizneset e kësaj bashkie kanë një rritje me 40%  të tarifës së ujit.

Në Krujë çmimi i ujit për familjarët parashikohet të rritet nga 35 lekë/m3 do të paguajnë 48 lekë/m3. Për institucionet publike çmimi do të rritet me 20%  ndërsa për bizneset në këtë Bashki nuk parashikohet të ketë rritje çmimi dhe do të vijojnë të kenë atë aktual që është 100 lekë/m3.

As në Rrogozhinë nuk do të ketë rritje të çmimit të ujit dhe do të qëndrojë po 48 lekë/m3 për familjarët dhe 100 lekë/m3 për bizneset. Institucionet publike do të paguajnë një tarifë të rritur nga 90 lekë/m3 do të paguajnë 96 lekë/m3.

Ndërkohë pak ditë më parë ERRU miratoi rritjen e çmimit të ujit për Fierin dhe më herët për Vlorën, Lezhën, Mirditën etj.

Shumica e bashkive ku uji është shtrenjtuar kanë dalje në det që do të thotë se sezoni turistik për bizneset aty do të ketë kosto më të larta.

Ujësjellësat në Shqipëri janë në proces reformimi dhe synohet të shkrihen të gjitha pikat lokale, për të krijuar drejtori rajonale ku përfshihen disa bashki. Nga 46 që ishte numri para reformës, pritet të shkojë në vetëm 15 UKT. Problemet e shumta financiare, borxhet si edhe abuzimet me vendet e punës, detyruan qeverinë të nisë shkrirjen e UKT-ve.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë