Nga Gazeta ‘Si’- Sot deputetët e rinj në Maqedoninë e Veriut zyrtarisht do të ulen në karriget e kuvendit. Seanca përmban katër pika.
Së pari, do të zgjidhet Komisioni për verifikim, i cili ka për obligim që të verifikojë mandatet e deputetëve, e më pas do të vijojë edhe zgjedhja e Komisionit për zgjedhje dhe emërime.
Sipas Rregullores së re, seanca konstitutive mund të zgjasë më së shumti 3 ditë, ndërsa do të përfundojë pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, i cili me shumë gjasa do të jetë ish-kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Gashi dha dorëheqjen dje nga funksioni që kishte në parti pasi neni 67 i Kushtetutës së RMV-së përcakton se kryetari i kuvendit republikan nuk mund të jetë edhe kryetar ose funksionar i një partie politike.
Ndërkohë Arben Taravari nga VLEN pritet të bëhet ministër i Shëndetësisë.
Me konstituimin e përmbajtjes së re parlamentare do të hartohet edhe shumica e re, të cilën, siç është e ditur do ta ketë koalicioni i VMRO-DPMNE-së dhe pas negociatave që u mbajtën këto ditë duhet t’i bashkohet edhe VLEN dhe deputetët e ZNAM-it.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e deritanishëm të qeverisë do të jenë në karriget e parlamentit të destinuara për opozitën.
Ish-kryeministri dhe kryetari i LSDM-së në largim Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministri për ekonomi Fatmir Bytyqi, ish-ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski, ai i bujqësisë Lupço Nikollovski, ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, e kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska, për punë dhe politikë sociale,Jovana Trençevska, për transport dhe lidhje, BllagojBoçvarski, si dhe ish-drejtoreshë e DAP-it Sanja Llukarevska.
Nga radhët e BDI-së, sërish deputet do të jetë kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, e bashkë me të edhe ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Ish-ministrat e kësaj partie nuk janë në përbërjen e re parlamentare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.