Gazeta Si - Projektrezoluta anti-korrupsion e paralajmëruar nga mazhoranca përmes ndryshimeve ligjore, nuk konsiderohet e nevojshme nga Prokuroria e Posaçme.
Kreu i SPAK Altin Dumani deklaroi se nuk ka nevojë për ndërhyrje ligjore sa i takon funksionimit të SPAK dhe pavarësisë së tyre.
“Prokurorët e SPAK janë të pavarur e ndihen të pavarur. Këtë pavarësi ia ka garantuar ky kuvend me ndryshimet Kushtetuese e Kornizën ligjore. Korniza ligjore aktuale na e gartanton pavarësinë institucionale. Ky është roli im thjesht ta adresoj. Nuk kam ndërmend ta ndjek ecurinë e mëtejshme. Për mua personalisht mos e llogarisni fare. Unë jam shumë i kënaqur me mandatin 9-vjeçar. Mendoj se duhet të ndodhin këto ndryshime i kam përmendur këtu e në raport. I kam adresuar i bindur se e drejta për të rinovuar mandatin do të kontribuojë në vijimësi të institucionit”, tha Dumani.
Ish-ministri dhe deputeti socialist në Komisionin e Ligjeve, Fatmir Xhafaj ku ka raportuar këtë të mërkurë kreu i SPAK, iu drejtua Altin Dumanit me pyetjen nëse shihet e arsyeshme ndonjë ndryshim kushtetues për t’u garantuar prokurorëve të kësaj Prokurorie më tepër pavarësi.
Dumani u shpreh se prokurorët janë të pavarur dhe ndihen të tillë, e se nuk e sheh aspak të nevojshme ndërhyrjen për ndonjë inicim të tillë për ndryshime ligjore.
“A ndihen të pavarur vetë prokurorët e SPAK në ushtrimin e detyrës dhe vendimmarrjet e tyre? Cilët janë faktorët që mund ta cenojnë këtë pavarësi dhe a ka vend për shtesa ligjore për të ruajtur dhe konsoliduar pavarësinë e SPAK dhe çdo prokurori dhe gjyqtari të atij sistemi?”, ishte pyetja e Xhafajt.
Në përgjigjen e tij, drejtuesi i SPAK thotë se nuk është i nevojshëm inicimi i një ndryshimi të mundshëm ligjor.
“Prokurorët e SPAK janë të pavarur dhe ndihen të pavarur. Këtë pavarësi ia ka garantuar ky Kuvend me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në 2017, me kornizën kushtetuese dhe ligjore. Në vlerësimin tim të dyja kornizat garantojnë pavarësinë e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, dhe vlerësoj se nuk ka vend dhe nuk është e nevojshme inicimi i ndonjë ndryshimi ligjor apo kushtetues në funksion të garantimit akoma më shumë të pavarësisë. Vlerësoj se jemi mirë”, u përgjigj Dumani.
Gjatë raportimit të kryeprokurorit Dumani, e mori fjalën edhe anëtari socialist i këtij komisioni, Damian Gjiknuri, i cili ngriti një sërë pyetjesh për Dumanin në lidhje me punën e tij dhe të institucionit që ai drejton prej disa kohësh.
Sipas Gjiknurit, aktivizimi i fortë i SPAK-ut do të sjellë debate, do të trazojë ujërat, por nga ana tjetër, ai nuk ngurroi të vlerësonte punën e kryer vitet e fundit nga ky institucion, duke qenë gjithmonë e më shumë aktiv.
“Aktivizimi i fortë i SPAK-ut do të sjellë debate, do të trazojë ujërat. Duhet të theksojmë që SPAK këto vitet e fundit ka qenë gjithmonë e më shumë aktiv, por nga ana tjetër, në fjalën tuaj ju ngritët disa çështje që të bëjnë të mendosh dhe të reflektosh, që hapin ‘Kutinë e Pandorës’ për një debat më të gjerë. Për të realizuar këto, duhet të prekësh disa komponentë, pra jetëgjatësia e SPAK, kompetencat e SPAK. Ne nuk kemi pse ta ngarkojmë SPAK-un me çdo vepër të natyrës korruptive. E kam fjalën tek ajo që ju prekët, që do të sjellë atë që unë thashë hapjen e “Kutisë së Pandorës”, kjo do të sjellë nevojën për ndryshim dhe reformë, por si e mendoni ju z. Dumani, si të arrihet të kryhet kjo kur ka një mungesë besimi mes palëve politike për një reformë të rëndësishme dhe si e shikoni ju rolin e SPAK-ut këtu? Kush do të jetë mënyra dhe roli juaj aktiv i SPAK që do të plotësojë nevojat e atyre që ju përmendët në fjalën tuaj?”, - iu drejtua deputeti socialist Altin Dumanit.
Në një mbledhje me grupin parlamentar të PS, kryeministri Rama propozoi ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar përmes një rezolute të titulluar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
Rezoluta sugjeron se puna e komisionit të posaçëm parlamentar nuk do të prekë reformën në drejtësi të arritur në vitin 2016.
Ndryshe nga Rithemelimi, vetëm kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur kundër kësaj nisme, që sipas tij mazhoranca përmes ndryshimeve ligjore kërkon të vështirësojë punën e SPAK. Basha ka thënë se kjo i vjen në ndihmë zyrtarëve të korruptuar që ti shpëtojnë akuzave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.