Nga Gazeta ‘SI’ – Në hekurudhën Tiranë-Durrës kanë përfunduar 70% e punimeve fizike, njoftoi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Gjatë një inspektimi, Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cilësoi këtë projekt si një ndër më të rëndësishmit që ishte lënë pas dore për shkak të vonesave të financimit
“Është një nga projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një projekt i nisur prej kohësh me një vonesë të konsiderueshme për sa i përket pjesës së aprovimit të financimit. Megjithatë të gjitha këto janë kapërcyer dhe sot kemi një kantier me ecuri të kënaqshme. Kemi 70% e volumit të punëve të kryera, në ndërkohë që 90% e volumit të veprave të artit të përfunduar. Çfarë është më e rëndësishme që duhet thënë, hekurudha është një nga mjetet e transportit alternativ, një nga mjetet e transportit miqësor me ambientin, por edhe me financat e qytetarit dhe një nga mjetet e transportit që vetë Bashkimit Europian incentivon dhe shtyn përpara për realizimet e tyre. Shqipëria prej kohësh ka nisur një strategji në zhvillimin e rrjetit hekurudhor. Ky është projekti i parë që ne tashmë mezi presim që ta dorëzojmë”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej edhe tek dy projekte të tjera të rëndësishme, të sektorit hekurudhor, siç është Vorë-Hani i Hotit apo edhe projekti i Korridorit të VIII, projekte të cilat do të jetësohen edhe falë mbështetjes së Bashkimit Europian.
“Transporti hekurudhor ka fokusin e plotë të qeverisë, ka përparësi përsa i përket planeve tona strategjike dhe padyshim Tiranë-Durrësi do të shënojë projektin e parë i cili do të jetë edhe dallëndyshja e parë për rikthimin e këtij mjeti transporti”, nënvizoi Balluku.
Drejtori i Hekurudhave Ergys Verdho bëri të ditur se i gjithë projekti është i ndarë në 4 seksione.
“Janë 4 seksione të këtij projekti. Fillon nga Durrësi deri në Shkozet. Nga Shkozeti deri në Vorë. Vorë-Tiranë dhe pjesa e katërt nga Kashari në Rinas, duke lidhur aeroportin me Tiranën dhe Durrësin”, tha Verdho duke shtuar se pjesë e projektit janë 9 ura, tetë prej të cilave tashmë kanë përfunduar. Nga stacioni i Tiranës deri në aeroportin “Nënë Tereza” parashikohet që koha e udhëtimit të jetë 12 minuta, me 3 stacione, ndërkohë që Tiranë-Durrës përllogaritet në 22 minuta, me 8 stacione.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.