Ne rrjet

Biden e Netanyahu me tone të ashpra / Çfarë është GJNP-ja dhe pse po kërkon urdhër-arreste për udhëheqësit izraelitë dhe ata të Hamasit

Nga Gazeta ‘Si’- Vendimi i kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për lëshimin e urdhër-arresteve për udhëheqësit izraelitë duke përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe tre udhëheqës të Hamasit: Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh, ngjalli jo pak reagime.

Si presidenti amerikan ashtu edhe vetë Netanyahu nuk i kursyen tonet e ashpra dhe e konsideruan të padrejtë këtë përpjekje.

“Çfarëdo që ka dashur të thotë prokurori, nuk ekziston asnjë paralelizëm mes Izraelit dhe Hamasit. Ne gjithmonë do të qëndrojmë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij,” shtoi Biden ndërkohë që edhe Netanyahu tha se kërkesa është “absurde” dhe “një përpjekje për t’i mohuar Izraelit të drejtën themelore për vetëmbrojtje”.

“Ju siguroj për një gjë: Kjo përpjekje do të dështojë plotësisht. Tetëdhjetë vjet më parë, populli hebre ishte plotësisht i pambrojtur përballë armiqve tanë. Ato ditë kanë mbaruar. Tani populli hebre ka një shtet dhe ne kemi një ushtri për të mbrojtur shtetin tonë”, shtoi ai.

Ai gjithashtu e akuzoi kryeprokurorin Khan për minim të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe për antisemitizëm.

“Abuzimi i këtij autoriteti nga Khan do ta kthejë GJNP-në në një farsë. Ai po bën diçka tjetër. Ai po hedh benzinë mbi zjarret e antisemitizmit që po shpërthejnë në të gjithë botën.”

Çfarë është GJNP-ja dhe pse po i kërkon këta urdhër-arreste

GJNP u krijua në vitin 2002 si gjykatë e përhershme për të ndjekur penalisht individët përgjegjës për mizoritë më të tmerrshme në botë – krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidin dhe krimin e agresionit.

Statuti i Romës në bazë të të cilit u krijua GJNP-ja u miratua në vitin 1998 dhe hyri në fuqi kur u ratifikua nga 60 vende më 1 korrik 2002. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi pro GJNP-së, por gjykata është e pavarur. Pa një forcë policore të vetën, GJNP-ja mbështetet tek vendet anëtare për të arrestuar të dyshuarit, gjë që është bërë shpesh pengesë e madhe për ndjekjet penale.

GJNP-ja vihet në veprim kur vendet nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të ndjekin penalisht krimet në territorin e tyre. Izraeli argumenton se ka një sistem gjyqësor funksional. Mosmarrëveshjet mbi aftësinë ose vullnetin e një vendi për të ndjekur penalisht kanë nxitur mosmarrëveshje në të kaluarën midis gjykatës dhe vendeve të veçanta.

GJNP-ja po kryen aktualisht 17 hetime, ka lëshuar gjithsej 42 urdhër-arreste dhe ka marrë 21 të dyshuar në paraburgim. Gjyqtarët e saj kanë dënuar 10 të dyshuar dhe kanë liruar katër.

Çfarë marrëdhënie ka GJNP me Izraelin dhe territoret palestineze?

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ndryshoi statusin e palestinezëve në vitin 2012 nga një autoritet vëzhgues në OKB në një shtet vëzhgues joanëtar. Kjo hapi rrugën që territoret palestineze të anëtarësoheshin në organizatat ndërkombëtare, përfshirë GJNP-në.

GJNP-ja pranoi “Shtetin e Palestinës” si anëtar në vitin 2015, një vit pasi palestinezët pranuan juridiksionin e gjykatës. Kryeprokurorja e gjykatës në atë kohë njoftoi në vitin 2021 se ajo po hapte një hetim për krime të mundshme në territorin palestinez. Izraeli shpesh bën akuza për njëanshmëri ndaj OKB-së dhe organeve të tjera ndërkombëtare. Kryeministri Netanjahu e dënoi vendimin si hipokrit dhe antisemitik.

Zoti Khan, kryeprokurori i GJNP-së, vizitoi Ramallahun dhe Izraelin në muajin dhjetor, duke takuar zyrtarë palestinezë dhe familje të izraelitëve të vrarë ose të marrë peng nga militantët e Hamasit në sulmin e 7 tetorit që shkaktoi luftën Izrael-Hamas.

Kryeprokurori Khan i quajti veprimet e Hamasit si “disa prej krimeve më të rënda ndërkombëtare që trondisin ndërgjegjen e njerëzimit, krime për të cilat u krijua GJNP-ja” dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë