Nga Gazeta ‘Si’-Autoritetet në Kosovë kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.
Policia e Kosovës, që bashkëngjiti fotografi të parave të konfiskuara, tha se u gjeti “rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë (mbi 600.000 euro), rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë”.
Aksionin policor në veri, zyrtarë të lartë në Serbi e dënuan ashpër, duke e cilësuar “të paligjshëm”. Nga Beogradi pati thirrje drejtuar komunitetit ndërkombëtar që të ndalë veprimet nga Kosova, që sipas tyre, po “kërcënojnë mbijetesën” e serbëve në Kosovë.
Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës. Në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës.
SHBA: Aksioni policor në veri, i pakoordinuar dhe përshkallëzon tensionet
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se është i zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksion në zyrat financiare në veri të Kosovës më 20 maj.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, DASH-i shtoi se aksioni nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të minoritetit serb – të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat”.
DASH theksoi se Qeveria amerikane ka bërë thirrje vazhdimisht për koordinim mes “dy qeverive tona” për ta mbështetur përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




