Para

Rivlerësimi i pronave me 3% do të nxisë tregun. Problemet në Kadastër mund të bëhen pengesë

Nga Gazeta 'SI' - Propozimi i socialistëve për të rivlerësuar pronat me 3%, është pritur mirë nga agjentët e tregut imobiliar.

Eksperti i tregut të real estate, Lefter Sila, thotë për Gazetasi.al se ky vendim ka vetëm efekte pozitive për pronarët e shtëpive, nga lehtësimi i barrës tatimore tek përshpejtimi i shitjeve pasi ulja e taksës do të 'çlirojë' transaksionet.

“Rivlersimi do të thotë më shumë fitim për pronarët. Çmimet janë rritur ndjeshëm që nga hera e parë që janë bërë rivlerësimet 2010-2011. Kushdo që ka prona duhet t’i rivlerësojë”, thotë Sila teksa përllogarit se me vendimin e ri, një pronar nuk do të paguajë më taksën 15%, por vetëm 3%.

“Pronari fiton 5 herë më shumë. Do të paguante 15 mijë euro tatim, tani paguan 3 mijë. Sa herë ka rivlerësime ka shumë transaksione. Një pjesë e pronarëve i vlerësojnë se kanë ndërmend t’i shesin dhe një pjesë për t’i pasur vlerat e tregut për në të ardhmen”, thotë eksperti teksa thekson se rivlerësimi nuk sjell presion mbi çmimet e banesave.

Pyetur për anët negative të kësaj nisme, eksperti Sila shpreh se i vetmi ngërç mund të jetë ai administrativ, lidhur me problemet në sistemin kadastrial, referuar dhe rasteve të muajve paraardhës. Pas kalimit të shërbimeve të Kadastrës online, verën e 2023-shit, shitjet në tregun imobiliar u pezulluan për shkak të vonesave dhe mungesës së dokumentacionit.

Sila shton se përfshirja e banesave që janë të legalizuara, por pa hipotekë në rivlerësim, është po ashtu pozitiv për tregun. Gjithsesi ai tregon se ndonëse e lejonte dhe rivlerësimi i fundit, nuk ndodhi asnjëherë.

Propozimi me firmën e deputetes socialiste Blerina Gjylameti u dërgua në Kuvend një javë më parë, synon formalizimin e tregut të pasurive të paluajtshme. Në rast miratimi, ligji do të jetë i shtrirë deri në qershor të 2025-s.

Qytetarët apo bizneset mund të bëjnë rivlerësimin pranë Kadastrës ose me një agjent pronash.

Hera e fundit që nisi një fushatë rivlerësimi ishte në 2020-n dhe përfundoi në fund të 2021-shit. Sipas të dhënve të Kadastrës atëherë u rivlerësuan 56.623 banesa. Vendimi i 2020-s lejonte rivlerësim 3% për qytetarët dhe 5% për bizneset.

Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Adresave (RKA), rezulton se në Shqipëri numërohen 471 mijë e 945 apartamente dhe në total 774 mijë e 431 ndërtesa.

Në fund të verës së shkuar, qeveria miratoi çmimet e reja të referencës për qarkun e Tiranës, po ashtu me synimin e formalizimit të tregut. Në një takim me ndërtuesit, kryeministri Edi Rama tha se referencat do të ndalojnë abuzimet me çmimet e pronave që shiten me vlerë më të lartë nga ajo që deklarohet.

“Ju të shisni apartamente me 2 mijë, 3, 4, 5 6, 8 mijë euro dhe të deklaroni çmime që janë larg të vërtetës, nuk mund të vazhdojë. Çmimet e referencës nuk janë arbitrare, por në bazë të tregut. Ju doni të fitoni sa më shumë. Mos ta dëgjojmë më historinë  e vendosjes në një nivel të arsyeshëm sepse nuk është akoma maksimumi që duhet vendosur por në një nivel të arsyeshëm kur ti shkon deklaron shitjen sepse kur ti gënjen, shteti ka detyrë të thotë këtu nuk është kaq. Është bërë një kohë e gjatë, çmimet rriten çdo javë. Është shenjë e mirë në një aspekt për rritjen e vlerës së pasurisë, nga ana tjetër duhet të përfitojnë të gjithë” tha kryeministri përballë ndërtuesve.

Pak kohë më vonë, ministria e Financave nxorri një udhëzim që tregonte se për ndërtesat e vjetra, çmimi i referencës do të ulej me 1% për çdo vit vjetërsie.

Raporte kombëtare dhe ndërkombëtare e tregojnë sektorin imobiliar në Shqipëri si një lavatriçe të pastrimit të parave duke kërkuar më shumë monitorim nga institucionet. Për ekspertët e tregut, paraja e pisët dhe jo kërkesë-oferta është arsyeja pse strehimi në Shqipëri është bërë i papërballueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë