Sport

Kupa e Botës – Si po lufton Katari me pengesat e organizimit

Katari mund të ndërtojë stadiume shpejt, por a mund t’ia dalë që me të njëjtën shpejtësi të mbushë këto stadiume me tifozë arabë.
Për momentin impiantet e Katarit që do të presin botërorin e vitin 2022 janë pa bar dhe pa tifozë, duke u ngritur si struktura. Këto ngrehina të mëdha që marrin formë dita-ditës, dy vite më parë ishin hapësira boshe në shkretëtirë. Tani punëtoret e ardhur nga e gjithë bota janë duke punuar për të instaluar blloqet e fundit të stadiumeve. Nga ana tjetër shkencëtarët në laboratorë po punojnë për të zhvilluar një lloji bari për tapetet që të mos ndikohet nga temperaturat e larta të shkretëtirës së Katarit.

Pothuajse të gjitha vendet e botës që kanë pritur një Olimpiadë apo kampionat botëror asnjëherë nuk i kanë përmbushur plotësisht zotimet që kanë marrë në fillim. Edhe me Katarin nuk ka shumë gjasa që të ndodhë e kundërta. Për të mos folur edhe për problemet e shtuara që vendi i vogël në gjirin arab ka pasur në dy vitet e fundit. Janë me mijëra punëtoret e thjeshtë, inxhinierët, arkitektët dhe profesionist e të gjitha llojeve që kanë zbarkuar në Katar për të ndërtuar stadiumet e botërorit, por vendi është duke hasur shumë sfida për ta përmbushur misionin e tij.

Me disa nga problemet Katari është familjar, kryesisht ato që kanë të bëjnë me vështirësitë klimaterike, ndërsa të tjera si embargo apo bllokimet nga fqinjët, janë të reja për këtë vend. I pari dhe më i njohuri deri më tani ka të bëjë me sigurinë e punëtorëve. Prej disa vitesh nga Katari raportohet për kushtet e këqija në të cilat punojnë njerëz që vijnë kryesisht nga Pakistani dhe India. Nuk ka një raport zyrtar për numrin e punëtorëve që kanë ndërruar jetë, por ai besohet të jetë nga më të lartët për një Kupë Botë apo Olimpiadë.

Shenjat e punës së madhe që po bëhet për këtë kampionat duken kudo në Doha, kryeqyteti i Katarit. Por ky ndryshim kaq i madh po kthehet në një makth për turistët që vizitojnë këtë qytet. Është shumë e vështirë që të orientohesh me “Google Maps” për shkak se çdo javë apo ço muaj hapet një rrugë e re. Rrugicat e vjetra dy apo tre korsi janë zëvendësuar me autostrada dhe unaza të mëdha dhe me disa mbikalime e nënkalime.

Kur Katari mori mandatin për të pritur kampionatin botëror të vitit 2022, metroja e Dohas ishte vetëm një skicë në letër, por që nga ajo kohë puna ka ecur me ritme të larta. Brenda javëve të para të janarit 2019 pritet të hapet loti i pari i kësaj metroje që do të përdoret nga të gjithë tifozët që do të zbarkojnë në Katar për të ndjekur ndeshjet e kampionatit botëror.
Nëse për dikë që shkon për herë të parë në Katar në vitin 2018 mund të duket se po bëhen ndërtime më shumë se sa duhen, duhet të mendohet edhe një herë tjetër. Pritet që gjatë ditëve të botërorit në këtë vend të udhëtojnë 200 mijë fansa në ditë. Kjo është sa 8% e popullsisë së këtij vendi.

Katari ka premtuar se do të ndërtojë deri në vitin 2020 më shumë se 100 mijë hotele të rinj. Një pjesë e madhe e këtyre hoteleve do të ndërtohen jashtë qytetit, në shkretëtirë. Një pjesë do të jenë në det dhe disa të lëvizshëm, pra “anije hotel”, me këto të fundit që me shumë mundësi do të jenë të rezervuara për njerëzit e shtresës së lartë që do të shkojnë për të parë futboll. Katari është vendi më i vogël gjeografikisht që do të presë një kampionat botëror. Nëse do të bënim një krahasim me Rusinë që priti kampionatin botëror të viti 2018, është sa 1.14% e sipërfaqes së këtij vendi.

Por për organizatorët dhe sheikët e pasur të Katarit sipërfaqja nuk është një problem, ku paratë janë lum. Kjo sipërfaqe e vogël e Katarit ka anën tjetër të mirë, që do të thotë tifozët do mund të ndjekin më shumë ndeshje dhe lojtarët do të udhëtojë më pak. Duke përjashtuar rrugët, metrotë dhe hotelet që do të jenë një vlerë e shtuar për këtë vend, ende nuk është shumë e qartë se çfarë do të ndodhë me stadiumet në Katar pas kampionatit botëror. Ky nuk është një problem i ri në fakt, pasi edhe disa vende të tjerë më herët që kanë pritur lojërat Olimpike apo Botërorin, pasi shumë nga infrastruktura e ndërtuar mbetet e pa shfrytëzuar.

Një problem i veçantë për Katarin është ajo që tifozët do mund të bëjnë kur mos të ketë ndeshje. Janë disa muze dhe një vijë e gjerë bregdetare, por këto janë shumë pak me ofertën kulturore e tursitike që mund të ofronte Rusia, apo edhe Brazili, dy vendet e fundit organizatore të Kupës së Botës. “Kupën e Botës do të sjellë gëzimin dhe para, që na motivon të kalojmë të gjitha sfidat që tani duken një mal shumë i lartë për tu kaluar.”- thotë Hassan al-Thawadi, i cili mbikëqyr planin për ndërtimin e infrastrukturës së botërorit në Katar. Ai mendon se tifozët pavarësisht sipërfaqes së vogël do të kenë shumë mundësi që të argëtohen. Në Moskë ata mund të dilnin në “Sheshin e Kuq”, ndërsa zona kryesore e Katarit për fansat është një park në mes të autostradës bregdetare dhe zonës spitalore. Alkooli nuk do të jetë i disponueshëm në publik, vetëm në “zona të caktuara”, të cilat ende nuk janë përcaktuar. Policisë së Katarit, të cilës i mungon përvoja me huliganët e dehur të futbollit, i ka kërkuar këshilla homologëve të tyre britanikë që janë me përvojë në këtë drejtim.

Kjo do të jetë kupa e parë botërore në një shtet arab, megjithatë politika në vendet e gjirit mund t’i mbajë tifozët arabë larg. Disa vende arabe, të udhëhequra nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë prerë lidhjet e transportit me Katarin për një sërë arsyesh, duke përfshirë mbështetjen e tij ndaj Al-Jazeera, një kanal televiziv që kritikon çdo sundues arab përveç atyre të Katarit. Para se të fillonte ky konflikt, kompania ajrore Qatar Airways, ishte transportuesi më i në gadishullin arab, duke rivalizuar kokë më kokë me Fly Emiratës, por tashmë ka pësuar një rënie të madhe. Për momentin është e paqartë nëse tifozët e nga Emiratet Arabe do të jenë në gjendje të ndjekin këtë kampionat botëror. Një e treta e arabëve jetojnë në vende që nuk kanë fluturime të drejtpërdrejta në Katar.

Gianni Infantino, president i FIFA-s, dëshiron të zgjerojë turneun nga 32 në 48 skuadra. Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë që në kampionatin botëror të vitit 2022. Nëse po, Katari duhet të ndajë organizimin e turneut me vendet fqinje, me shumicën e të cilave ka disa vite që i ka prerë lidhjet diplomatike. Në fillim, kur u zgjodh kandidatura e Katarit, organizatorët kishin shpresuar se turneu do t’i bënte arabët bashka. Por deri më tani ka ndodhur e kundërta, pasi në vend të bashkimit, ndarja është bërë më e theksuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë