Ne rrjet

Konflikt i ri / Davkova betohet si presidente e Maqedonisë (por jo e Veriut), reagon Greqia: Rruga drejt BE kalon nga Marrëveshja e Prespës

Gordana Silanovska-Davkova e ka bërë betimin të dielën si gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut prej pavarësimit të vendit në vitet ’90, pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 maj.

Davkova e mposhti presidentin e deritanishëm, Stevo Pendarovski, duke fituar dyfish më shumë vota se ai në balotazhin e së mërkurës.

Pasi u betua gjatë një seance para përbërjes në largim të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Davkova, megjithatë, gjatë fjalimit të saj e shmangu fjalën “e veriut” në emrin e shtetit, ashtu siç kishte paralajmëruar gjatë fushatës së saj.

Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.

“Do të jem presidente e të gjithëve, edhe pjesës së majtë edhe asaj të djathtë të Kuvendit; presidente e të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo politike”, ka thënë Davkova.

Megjithatë, Davkova, në fjalimin e saj nuk foli për çështje që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të vendit, i cili varet nga ndryshimet kushtetuese bazuar në një marrëveshje me Bullgarinë, por tha se do të punojë për “evropianizimin e vendit së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit”.

Davkova nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese - të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase - ajo do t’i respektonte ato.

Ndërkohë, Davkova tha se tani “është koha për bashkim” dhe për këtë ajo do t'u drejtohej grave, “sepse duam të tregojmë se nuk kujdesemi vetëm për veten, por edhe për të gjithë rreth nesh. Besimi është shumë i rëndësishëm, dhe unë do ta arsyetoj atë.”

Ajo u zotua se kabineti i saj presidencial do të pasqyrojë përbërjen etnike të vendit, “ku do të ketë vend edhe për maqedonasit, shqiptarët dhe përfaqësuesit e entiteteve tjera, ndërsa përzgjedhja e tyre do të bëhet bazuar në kritere profesionale dhe jopartiake”.

Në sallën e Kuvendit ishin përfaqësuesit e të gjitha partive të përbërjes parlamentare para zgjedhjeve të 8 majit.

Por, pjesa e deklaratës solemne dhe mbase edhe fjalimi i Presidentes së re, nuk i pëlqeu Ambasadores greke në Shkup, Sofija Filipidu.

Ajo u largua nga galeria e Kuvendit derisa zgjat betimi i Siljanovskës dhe kur ajo në vend të fjalëve të Kryeparlamentarit Jovan Mitreski – Maqedonia e Veriut, përdori vetëm emrin Maqedoni.

Më tej pati edhe një deklaratë për shtyp të minisgtrisë së Punëve të Jashtme greke.

Ministria thekson se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut si dhe rruga evropiane e kësaj të fundit varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe kryesisht nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit.

“Gjatë betimit të saj sot në Kuvend dhe përkundër faktit se në tekstin zyrtar të betimit përmendej “Maqedonia e Veriut”, presidentja e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Znj. Silianovska-Davkova zgjodhi ta quajë vendin e saj “Maqedoni”.

Ky akt shkel në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Prespës si dhe Kushtetutën e shtetit fqinj, e cila është harmonizuar me detyrimet e tij ndërkombëtare. Qeveria greke, megjithë kundërshtimet që kishte shprehur si kundërshtim gjatë ratifikimit të marrëveshjes, e respektoi atë si një traktat ndërkombëtar të ratifikuar që ka përparësi ndaj çdo dispozite tjetër të ligjit.

Greqia, në këtë kontekst, thekson kategorikisht se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut si dhe kursi evropian i kësaj të fundit varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe mbi të gjitha nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë