Nga Gazeta ‘Si’-“Çështja e Kosovës nuk është në axhendën e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme dhe në këtë periudhë nuk mund të themi se kur mund të jetë”, tha zëdhënësi i kësaj organizate Daniel Holtgen, por pa dhënë më shumë hollësi.
Këshilli mblidhet javën që vjen dhe pritej që të votonte lidhur me kërkesën e Kosovës, e cila muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, duke nxitur besimin në Prishtinë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd.
Çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duket se u bë “thembra e Akilit” në përpjekjet e Kosovës, sikundër është pika më e nxehtë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.
Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar. Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e cilësoi “absurd” dhe të papranueshëm një kushtëzim të tillë.
“Draft statuti i (Miroslav) Lajçakut dhe emisarëve të tjerë të Quintit si dokument dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jodokument, pra është një non-paper. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgoj dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese, kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, tha kryeministri Kurti të mërkurën.
Dy ditë më parë pas një takimi me diplomatët e vendeve kryesore perëndimore në Prishtinë ai bëri thirrje që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, meqë këto procese janë të ndara.
Por i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili është në fund të mandatit, tha se këto procese “janë shumë të lidhura”. Këshilli i Evropës, tha ai, “ka të bëjë me trajtimin e pakicave dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e pakicave dhe kjo përfshin edhe Asociacionin”./VOA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.