Kosova

Eurodeputeti Reuten: Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për në KiE, rikthejeni në agjendë

Nga Gazeta 'Si'-Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për t'u bërë anëtare e Këshillit të Europës dhe e quan të padrejtë kushtëzimin me Asociacionin.

Tani kur ka mbetur një javë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Këshillin e Europës, Kosovës po i kërkohet nga shtetet kryesore europiane që ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Me këtë qasje të shteteve mike nuk po bie dakord kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili gjatë një konference për media tha se kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin është absurd.

“Shpresoj që Kosova do të rikthehet në agjendë për javën e ardhshme kur do të mblidhet Komiteti i Ministrave në Këshillin e Europës, sepse Kosova me të vërtetë i ka plotësuar kriteret për tu anëtarësuar në këtë organizatë. Raportin e Dora Bakoyannis e kanë mbështetur shumica e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, prandaj Kosova duhet të rikthehet në agjendë”, thotë ai.

Deputeti holandez e sheh të padrejtë kushtëzimin e Kosovës me Asocacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai i ka bërë thirrje shteteve anëtare të Këshillit të ndryshojnë qëndrim para mbledhjes së Komitetit të Ministrave që do të mbahet javën e ardhshme.

“Më zhgënjim po e shoh se disa shtete të rëndësishme tani po kërkojnë diçka nga Kosova që nuk ka qenë e parashikuar më herët për t'u bërë anëtare në Këshillin e Europës. Me të vërtetë mendoj se është një qasje e padrejtë. Prandaj po i bëj thirrje këtyre shteteve që të ndryshojnë qëndrim. Kosova e ka pranuar se do të punojë për themelimin e Asociacionit, por kjo çështje nuk duhet të përfshihet në Këshillin e Europës” , shprehet eurodeputeti holandez.

Dy shtetet kryesore të Evropës, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me Asociacionin e komunave me shumicë serbe


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë