Gazeta Si – Erdgys Arrazit, i cili po mbahet në paraburgim për shkaktim të vetëvrasjes, nuk iu aprovua kërkesa këtë të mërkurë që të marrë pjesë në varrimin e vajzës 7 vjeçe dhe djalit 3-vjeçar, të cilët u mbytën bashkë me nënën dhe motrën e tyre të madhe mbrëmjen e 2 majit.
Prokuroria e Shkodrës e miratoi kërkesën e Arrazit për të qenë i pranishëm në ceremoninë mortore, ndërkohë që Policia e Shkodrës dhe Drejtoria e Burgjeve e kanë refuzuar.
Arrazi nuk u lejua as në ceremoninë mortore të vajzës 9-vjeçare, e cila u zhvillua dy ditë më parë, pasi u gjet në ujërat e lumit Buna nga një peshkatar i zonës.
Dy ditët e fundit, trupat e dy fëmijëve të tjerë, vajzës 8 vjeçe dhe djalit 3 vjeç, u gjetën në ujërat e lumit Buna nga forcat RENEA.
Po ashtu, të martën, u gjet edhe trupi i nënës së fëmijëve, 39-vjeçares Alma Arrazi.
Familja e nënës, e cila u vetëvra dhe mbyti edhe 3 fëmijët e saj, nuk ka lejuar që 39-vjeçarja të varroset në Shkodër nga familja e bashkëshortit të saj.
Pas kryerjes së autopsisë në trupin e pajetë të gruas në morgun e spitalit rajonal të Shkodrës, mësohet se nuk ka shenja dhune.
Pas tre ditë kërkimesh, me gjetjen e trupave të pajetë të të gjithë familjes Arrazi në lumin Buna, nënës dhe tre fëmijëve të saj, u mbyll dhe operacioni i kërkimit nga forcat e ushtrisë dhe RENEA.
Tragjedia në Shkodër nisi disa ditë më parë, kur më 2 maj, Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e mitur u zhdukën. Bashkëshorti bëri denoncim një ditë më pas, ndërsa të shtunën u gjet trupi i pajetë në lumin Buna i vajzës së madhe 9 vjeçe, nga një peshkatar i zonës.
Nga dyshimet e deritanishme të hetuesve, Alma Arrazi është vetëhedhur në lumë së bashku me 3 fëmijët e mitur dhe shkaku dyshohet të ketë qenë dhuna nga burri dhe problemet e tyre bashkëshortore.
Familjarët e bashkëshortit thonë se Alma vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe kurohej. Një ditë më parë, Gjykata e Shkodrës vendosi të lërë pas hekurave bashkëshortin Erdgys Arrazi, i cili dyshohet si shkaktar i vetëvrasjes së bashkëshortes së tij Alma Arrazi dhe fëmijëve të mitur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.