Nga Gazeta Si – Opozita protestoi sot për 2 orë para bashkisë ku kërkoi dorëheqjen e Erion Veliajt pas arrestimit të drejtorëve të dosjes “5D”.
Ndërkohë në nisje të protestës një efektiv policie humbi ndjenjat.
Protestuesit kanë hedhur edhe sot molotov dhe vezë drejt godinës. Ata kanë arritur që të largojnë të gjithë gardhin metalik ndërkohë që është bërë thirrje për të mos sulmuar policinë.
LEXO EDHE:
Teliti: Protesta s’do ndalet deri në dorëheqjen e Erion Veliajt






Nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës Dorian Teliti, në fjalën e tij tha se falë qëndresës së opozitës u arrit që kryeministri Edi Rama të mos e mbrojë më kryebashkiakun Erion Veliaj.






Ai tha se gjithçka do të arrihet, referuar dorëheqjes së kryetarit të Bashkisë. “Rama, ai që para disa jave i jepte mbështetje Veliajt, sot u distancua. Foli për hajdutë, grupe të strukturuara, abuzues me ligjin, drejtorë e kryebashkiakë. Sot, kjo u arrit falë qëndresës dhe protestës tuaj. Ne jemi me të drejtën e të vërtetën”, tha Teliti.
Aktori Mehdi Malkja u shpreh se nuk ka kohë për rrotacion, por duhet të përmbyset kjo qeveri.
Ai shtoi se kjo duhet të ndodhë edhe nëse do të dhunohen nga policia.
“Nuk kemi kohë për rrotacion. Duhet të ngrihet populli. Ngrijeni pak popullin nga gjumi, nuk bëhet ndryshe. Është fjala për përmbysje. Do na rrahin ata? Le të na rrahin. Unë kam vetëm një problem, nuk më ngjiten kockat më. Unë e dua Shqipërinë, e dua këtë flamur, në emër të këtij flamuri kanë rënë të gjithë heronjtë e vërtetë”, tha ai.



Në fjalën e tij Belind Këlliçi, ka zbuluar se ka firmosur sot kallëzimin e ri në SPAK ndaj Erion Veliajt.
Ai shtoi se nuk i intereson nëse kryeministri Edi Rama e pushkatoi politikisht kryebashkiakun e Tiranës, por i interesojnë milionat e vjedhura.
“Nuk na intereson nëse e pushkatoi sot politikisht Rama, më interesojnë qindra mln euro të vjedhura nga Veliaj. Sot firmosa kallëzimin e ri në SPAK ndaj Erion Veliajt”, tha Këlliçi.







Prej datës 5 prill, opozita dhe Aleanca për mbrojtjen e Teatrit çdo javë janë mbledhur duke protestuar, ku nuk kanë munguar hedhja e vezëve, mollëve, molotovit dhe flakadanëve drejt bashkisë, duke i vënë edhe flakën derës kryesore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



