Politike

Teliti: Protesta s’do ndalet deri në dorëheqjen e Erion Veliajt

Nga Gazeta Si - Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, i cili përfaqëson PD të Rithemelimit, deklaroi në një intervistë për Gazeta Si se protestat tek Bashkia e Tiranës nuk do të ndalen derisa Erion Veliaj të dorëhiqet.

Opozita e konsideron kryebashkiakun pjesë të aferës “5D”, që po hetohet nga SPAK-u dhe ku po hetohen në arrest me burg disa ish drejtorë të Bashkisë së Tiranës. “Ne besojmë se edhe kryebashkiaku është pjesë e aferës “5D”. Ata që sot janë në burg, nuk ishin vetëm drejtorët e tij më të rëndësishëm, por ishte shtabi i tij politik i zgjedhjeve të 14 majit 2023, që krenoheshin tavolinave se kush kishte blerë më shumë vota” tha Teliti.

Ai e vë theksin tek përgjegjësia penale e Veliajt, për të cilin thotë se është personi i vetëm që firmos në bashki kontratat me kompanitë private dhe personi i vetëm që firmos për financat e Bashkisë. “Kemi parë praktika korruptive në 30 vite, por kurrë nuk kemi parë këtë rekord Guiness të korrupsionit në masën 100% të fondeve, siç është realizuar nga ky grup i strukturuar i krimit financiar. Nga 29 tendera kanë marrë 30 milionë euro përmes korrupsionit dhe klientelizmit në Bashkinë Tiranës” tha Dorian Teliti për Gazeta Si.

Dorian Teleti në protestë para Bashkisë

Gazeta Si: Ka një përqendrim të opozitës tek Bashkia e Tiranës, me denoncime dhe protesta. Sa efektivë keni qenë për të arritur objektivin e largimit të kryebashkiakut Veliaj?

Dorian Teliti: Vëmendja jonë dhe e qytetarëve është tek Bashkia e Tiranës për shkak të aferave të paprecedenta dhe klienteliste që janë zbuluar kohët e fundit edhe nga  mediat; edhe nga drejtësia. Ne besojmë se kryebashkiaku Veliaj është kreu i grupit të strukturuar kriminal “5D”, i cili ka sekuestruar në mënyrë të padrejtë 100% të parave publike me anë të tenderave fiktivë.

Siç e shoh unë, protesta ka dhënë rezultat, pasi qytetarët e Tiranës, qytetarët shqiptarë, trupi diplomatik, çdo aktor, e kanë të qartë tani se kush ka futur duart në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për t’i vjedhur ato në masën 100%. Kemi parë praktika korruptive në 30 vite, por kurrë nuk kemi parë këtë rekord Guiness të korrupsionit në masën 100% të fondeve, siç është realizuar nga ky grup i strukturuar i krimit financiar. Nga 29 tendera kanë marrë 30 milionë euro përmes korrupsionit dhe klientelizmit në Bashkinë Tiranës.

Gazeta Si: Ju keni objektiv largimin e kryebashkiakut Veliaj, por kjo s’ka ndodhur. Mos është energji e çuar dëm kjo e protestave?

Dorian Teliti: Ne kemi objektiv shumë më të lartë sesa thjesht largimin e një kryebashkiaku të korruptuar. Objektivi ynë parësor është bërja e transparencës, është gjetja e parave. Ne duam të dimë ku kanë shkuar 30 milionë eurot e buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Duam të dimë se kur do t’i kthehen këto para qytetarëve dhe kush do të vihet përpara përgjegjësisë për këtë krim të madh përmes grabitjes së taksave të qytetarëve të Tiranës.

Ne besojmë se edhe kryebashkiaku është pjesë e aferës “5D”. Ata që sot janë në burg, nuk ishin vetëm drejtorët e tij më të rëndësishëm, por ishte shtabi i tij politik i zgjedhjeve të 14 majit 2023, që krenoheshin tavolinave se kush kishte blerë më shumë vota. Ajo që na i përforcon dyshimet për përfshirjen e kryebashkiakut është denoncimi i bërë në 27 prill 2023 nga kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi dhe përgjigja e dhënë nga Erion Veliaj në një nga televizionet kryesore. Veliaj tha se e ka verifikuar denoncimin e bërë nga Belind Këlliçi dhe nuk i ka rezultuar si i vërtetë denoncimi i opozitës, por ne e dimë që ky denoncim sot është provuar si i vërtetë nga hetimet e prokurorisë. Kjo do të thotë që kryebashkiaku është pjesë e skemës së fshehjes të së vërtetës, gjë që e implikon atë edhe me përgjegjësi penale.

Gazeta Si: Zoti Veliaj ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen. Cili është plani juaj në lidhje me kryebashkiakun e Tiranës?

Dorian Teliti: Erion Veliaj mund të deklarojë ç’të dojë. Ai është në të drejtën e tij të mbrojë veten, siç edhe ne kemi të drejtë, si opozitë dhe si qytetarë të Tiranës, të bëjmë çmos për të zbardhur të vërtetën, për të kërkuar dorëheqjen e kujtdo që ka kryer krimin e vjedhjes së parave të taksapaguesve nga buxheti i Bashkisë së Tiranës. Si anëtarë të Këshillit Bashkiak, kemi kërkuar të ballafaqohet në parlamentin e Tiranës, por deri më sot jemi përballur me refuzimin e tij.

Me cilësinë e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, kam bërë një numër të madh shkresash, përmes të cilave i kam kërkuar kryebashkiakut të vijë e të raportojë. Deri tani ka vetëm heshtje dhe refuzim nga Erion Veliaj. Kjo sjellje na i shton dyshimet se ai është pjesë e aferës dhe po bën çmos për të penguar transparecën.  Është kjo sjellje që na jep një motiv plus për të protestuar përpara Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe dorëheqjen si kryebashkiak i Tiranës.

Më duhet të theksoj se Veliaj nuk është vetëm Kryetar i Bashkisë së Tiranës, por është edhe kontraktor i Bashkisë, është personi që firmos kontratat dhe ai që firmos çdo lëvizje financiare në Bashkinë e Tiranës. Këto dy funksione ai mund t’i delegojë, por ne nuk e kemi këtë informacion, sepse ai nuk e jep këtë informacion. Në çdo rast, kryetari i bashkisë nuk përjashtohet nga përgjegjësia. Sa për të krijuar një ide, nga 29 kontratat nën hetim, 9 kontrata të kompanive të drejtorëve të Veliajt, ata i kanë me Bashkinë e Tiranës.

Gazeta Si: Do të vazhdojnë protestat tek Bashkia e Tiranës një opsion për opozitën në luftën e saj politike?

Dorian Teliti: Protestat nuk di të ndërpriten, protesta do të jetë e vazhdueshme. Do të protestojmë deri ditën që e vërteta do të zbardhet dhe Erion Veliaj të japë dorëheqjen. Ka vetëm dy opsione për këtë aferë, ose Veliaj është pjesë, pra është i përfshirë në aferë, ose ai është i paaftë dhe ka lejuar që nën hundën e tij, të kalojnë miliona euro me kontrata fiktive nga taksat e qytetarëve të Tiranës në xhepat e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.

Qytetarët e Tiranës nuk duan që kryebashkiaku i tyre të jetë as hajdut, as i paaftë për të kuptuar se ku shkojnë paratë e tyre nga taksat dhe tarifat që janë rritur nga 2-10 herë gjatë këtyre viteve. Në vendet e Bashkimit Europan, ku ne duam të aspirojmë, politikanët, zyrtarët, të zgjedhurit japin dorëheqje për shumë më pak se kaq, ndërsa në Shqipëri pushtetarët e PS, në nivel qendror dhe lokal vetëm si europianë nuk janë sjellë.

Gazeta Si: E konsideroni zotin Veliaj mes dy zjarresh, nga njëra anë ju, nga njëra anë SPAK-u? Mund ta konsideroni SPAK-un aleat në këtë çështje?

Dorian Teliti: Beteja jonë është një betejë politike. PD nuk është as prokurori, as gjykatë. Detyrat e prokurorisë duhet t’i kryejë vetë ajo, pa vonesa dhe në zbatim të ligjit. Ajo që dimë deri tani është se SPAK e ka marrë në pyetje para pak ditësh Erion Veliajn për çështjen e inceneratorit të Tiranës dhe jo për dosjen 5D. I bëj thirrje SPAK-ut që, në bazë të informacioneve dhe provave, që po i çojmë dita-ditës, t’i shohë ato me paanshmëri, sepse aty ka vend për të proceduar jo vetëm Erion Velaijn, por të gjithë ekipin ekzekutiv që ka marrë pjesë si në aferën e inceneratorëve, edhe në aferën e dosjes 5D.

Dorëheqja është akti minimal qe mund të bej Erion Veliaj. Ajo që duhet të ndodhë është nxjerrja para përgjegjësisë dhe jo falja, siç po artikulohet së fundmi në qarqe të caktuara të PS. Provat janë në dritën e diellit dhe Erion Veliaj është I implikuar nga të gjitha anët. Nuk kanë firmosur qytetarët që Bashkia të marrë përsipër 93 milionë euro të incineratorit të Tiranës. Ai është Erion Veliaj.

Nuk janë qytetarët që kanë marrë angazhimin për të pesta bashkitë e qarkut në lidhje me detyrimet ndaj incineratorit, por Erion Veliaj. Nuk është faji ynë që Erion Velaj nuk ka ngritur sistemet e brendshme të kontrollit në bashki. Për këto përgjegjësi, Erion Veliaj duhet të japë llogari përpara drejtësisë. Drejtësia I ka provat, duhet thjesht të lëvizë, të vendosë para ligjit personat përgjegjës, kushdo qofshin, përfshirë edhe Erion Veliajn.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë