Gazeta Si – Çifti i bashkëshortëve të gjetur të vrarë me sende të forta në Dropull është përcjellë këtë të premte në banesën e fundit, ndërsa vdekja e tyre mbetet ende një mister.
Sot të afërmit e tyre të ardhur nga Greqia dhe bashkëfshatarët në Bodrisht të Dropullit, i dhanë lamtumirën e fundit Kosta Ilias 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilias, 84 vjeçe.
Burrë e grua u gjetën pa jetë në banesë mëngjesin e së enjtes dhe se bashku janë varrosur në një varr të vetëm.
Hetuesit në Gjirokastër, kanë bindjen se çifti i të moshuarve është vrarë me sende të forta nga persona që kanë hyrë në banesën e tyre.
Policia ka në rrethin e të dyshuarve 3 të dyshuar, për të cilët pritet përgjigjja e policisë shkencore që do të zbulojë nëse janë të përfshirë në ngjarjen e rëndë.

Çifti jetonte vetëm në Dropull, pasi nuk kishin fëmijë, ndërsa sot në varrim ka ardhur vajza e birësuar, e cila jeton në Athinë.
Rrethanat e vdekjes së Kosta dhe Kleoniqi Ilia janë ende të paqarta, fillimisht u dyshua për dhunë në familje, pasi banesa nuk ishte e thyer. Ndërsa disa orë pas krimit, policia u orientua drejt pistës së vrasjes.
Paralelisht po hetohet edhe për motivet pasi pista e grabitjes është rrëzuar. Shtëpia është gjetur e rregullt dhe nuk ka shenja kontrollesh si dhe janë gjetur sasi parash që i përkisnin çiftit të të moshuarve.
Motra e Kleoniqit që banon në Greqi ka telefonuar në mëngjes një komshie të tyre pasi çifti nuk po ju përgjigjej telefonatave.
Ajo hyri në banesën e tyre rreth orës 6 të mëngjesit të së enjtes dhe ka konstatuar të pajetë fillimisht Kosta Ilian në hyrje të banesës me një shenjë goditjeje në anën e djathtë të kokës dhe më pas edhe Kleoniqin më në brendësi.
Të moshuarit kanë pasur shenja dhune ne trup çka ka çuar fillimisht në dyshime se ata mund të ishin bërë pre e një grabitjeje.

Kosta Ilia ishte kthyer nga Greqia vetëm 5 ditë më parë ku kishte shkuar për të tërhequr pensionin.
Sipas burimeve, dëshmitë e komshinjve janë disi kontradiktore. Disa prej tyre pohuan se çifti jetonte në paqe dhe të tjerë folën për konflikte të dhunshme mes tyre falë problemeve të shëndetit mendor të Kosta Ilias, i cili trajtohej vitet e fundit me medikamente.
Burime nga policia gjithashtu konfirmojnë se kanë gjetur në banesë një shumë parash të pensionit të të moshuarve.
Pensionet nga shteti grek ishin të vetmet të ardhura për ta. Grabitjet e moshuarve në këtë zonë të izoluar të vendit nuk kanë qenë situata të pazakonta në të shkuarën.
Deri tani janë disa banorë të zonës të shoqëruar në komisariat, në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për krimin brutal, ndërsa vrasja e dyfishtë vijon të mbetet mister.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




