Nga Gazeta ‘Si’- Departamenti Amerikan i Shtetit ka shprehur pakënaqësi për përbërjen e re të qeverisë serbe.
DASH theksoi se është zhgënjyer nga propozimi për të vendosur Vulinin si zv.kryeministër dhe Popoviçin si ministër pa portofol dhe shtoi se të dy mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur mirë”.
Ai po ashtu ka deklaruar se SHBA-ja nuk luan asnjë rol në vendimet e personelit të Qeverisë së Serbisë.
Pas deklaratës së DASH, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha më 1 maj se nuk ishte i lumtur me atë reagim.
“Shpresoj që do të kemi marrëdhënie të mira me partnerët tanë amerikanë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi marrëdhënie të mira. Nuk jam i kënaqur me reagimin e tyre, por Qeveria e Serbisë është e zgjedhur nga qytetarët e Serbisë”, tha Vuçiç i cili theksoi se është e rëndësishme që qeveria është serbe dhe që do zbatojë interesat e Serbisë.
“Kjo do të thotë që kur vendosin sanksione ndaj dikujt, ne duhet të përulim kokën me përulësi dhe të themi – faleminderit që na informuat kush nuk duhet të jetë asgjë. Dëgjova edhe nga ana tjetër se ne kemi në qeveri shumë eurofanatikë dhe që janë pro amerikanëve, por ata të tjerët ishin aq të sjellshëm sa të mos flisnin publikisht për këtë”, shtoi Vuçiç.
Sot (1 maj) është caktuar të mbahet seanca e Kuvendit të Serbisë, ku do të diskutohet për zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë. Kabineti i ri do të ketë 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.