Kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftoi të dielën se do të kandidojë si kandidatja kryesore e partisë së saj në pushtet ‘Vëllezërit e Italisë’ në zgjedhjet evropiane në qershor.
“Kam vendosur të futem në fushë për të udhëhequr listat e Vëllezërve të Italisë në të gjitha zonat zgjedhore”, tha Meloni në një event partie në Pescara të Italisë.
“Ne duam të krijojmë një shumicë që bashkon forcat e qendrës së djathtë dhe të dërgojë të majtën në opozitë edhe në BE. Është një ndërmarrje e vështirë, por është e mundur dhe ne duhet të përpiqemi”, tha kryeministrja.
Meloni është figura kryesore politike italiane që së fundmi shpalli synimet e saj për të kandiduar në zgjedhjet e qershorit dhe lëvizja e saj duket e shtyre për të përdorur popullaritetin e saj personal për të rritur shanset e partisë së saj në votimin evropian.
Një zëdhënës i Parlamentit Evropian tha për POLITICO se nëse Meloni do të zinte një vend në Parlamentin Evropian, ajo do të duhej të jepte dorëheqjen nga detyra e kryeministres – një skenar ky shumë i pamundur.
Lëvizja e Melonit nuk është një strategji e pazakontë midis udhëheqësve italianë dhe politikanëve kryesorë.
Në vitin 2009, kryeministri i atëhershëm Silvio Berlusconi kandidoi si kandidati kryesor i partisë së tij në zgjedhjet e BE-së dhe qëndroi në krye të qeverisë italiane pasi partia e tij përfundoi e para në zgjedhje.
Matteo Renzi bëri të njëjtën gjë pesë vjet më vonë.
Partia e Melonit tashmë kryeson sondazhet e fundit në Itali dhe parashikohet të marrë 27.2 përqind të votave, përpara PD-së së qendrës së majtë (20.3 përqind) dhe Lëvizjes Pesë Yjet (16.8 përqind).
Si Elly Schlein, kreu i PD-së, ashtu edhe Antonio Tajani, ministri aktual i Jashtëm, i cili është drejtues i partisë konservatore Forza Italia, kanë hyrë në garën për Parlamentin Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.