Ka ndodhur

Protesta e opozitës para bashkisë devijon trafikun, policia bën thirrje për distancim nga dhuna

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, Rithemelimi dhe Partia e Lirisë do të zhvillojnë sërish një protestë përpara Bashkisë së Tiranës.

Protesta është parashikuar të fillojë në orën 11:00 dhe deputetët e opozitës së bashku me qytetarët pritet të mblidhen për të manifestuar kundër korrupsionit në zyrat e Bashkisë së kryeqytetit.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të protestës së thirrur nga një pjesë e opozitës.

Sipas policisë, në orën 09:45 e në vijim do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.

“Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”, njoftoi Policia e Shtetit.

Gjithashtu, për ruajtjen e rendit, uniformat blu vë në dukje se “gjatë dy tubimeve të fundit, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë “respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore”, por u bën thirrje protestuesve që “të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune”.

Në përfundim të deklaratës së tyre, Policia ka njoftuar se cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë përbëjnë shkelje të ligjit dhe se do të veprojnë gjithnjë me profesionalizëm.

Lajmi për organizimin e protestës është bërë nga kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, i cili në fillim të kësaj jave ka shpërndarë spotin e protestës që do të mbajnë sot para bashkisë Tiranë      

“…Tirana ka shumë probleme dhe buxheti i qytetit duhet të përdoret për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të qytetarëve, për shërbime ndaj tyre, për punë në dobi të mirëqenies së qytetarëve”.

Ajo që vihet re në spot është gjuha e ashpërsuar ndaj Erion Velisë: “Ikni, shporruni” duke e shoqëruar edhe me molotovin që hodhen të premten e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë