Ngjarje

Merr fund historia e rrëmbimit të 3 vjeçarit, gjyshja e dorëzon në polici: Nusja zgjodhi të kthehet te prindërit, kishim frikë për nipin

Nga Gazeta Si- Ka marrë fund historia e rrëmbimit të tre vjeçarit nga gjyshërit në Durrës. Ditën e sotme gjyshja është vetëdorëzuar në polici bashkë me djalin.

Gjyshërit morën fëmijën më 13 prill dhe nuk e dorëzuan tek e ëma, e cila ishte larguar nga banesa pas vdekjes së bashkëshortit. 

Në lidhje me rastin u arrestuan gjyshi i tre vjeçarit, Rexhep Gjunin, 58-vjeç dhe një nga vëllezërit e gjyshes, Arben Selaj, ndërkohë që ishte shpallur në kërkim gjyshja dhe një vëlla i saj. Për ta u dha dje masa e sigurisë “Arrest me burg” nga gjykata.

Në polici, gjyshi refuzonte të jepte detaje mbi vendndodhjen e nipit. 58-vjeçari pretendonte se fëmija ka shkuar tek të afërmit në Kukës, por nuk gjendet as atje në adresën e dhënë.

Kujtojmë se babai i vogëlushit ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti, një vit më parë. Nëna tha për mediat se çdo fundjavë gjyshërit takonin nipin, ndërsa të shtunën që kaloi, ata përmes telefonit i kanë thënë se nuk do ia çojnë më djalin.

Pas denoncimit publik të nënës, të martën e kaluar, policia dhe prokuroria u angazhuan në veprime intensive hetimore. Kontrolle të shumta u kryen në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë, aty ku dyshohej se mund të ndodhej 3-vjeçari.

Pas dorëzimit, gjyshja e djalit u mor në pyetje në policinë e Durrësit për të sqaruar ngjarjen që tronditi dhe opinionin publik.

“E vendosëm bashkë me Rexhepin ta merrnin nipin e ta rrisnim vetë. Është djali i djalit tonë. Të shtunën e kaluar e morëm si zakonisht nga shtëpia e nuses për të kaluar disa orë me ne. Vendosëm të mos e kthenim më. Nusja zgjodhi të kthehet te prindërit e të bëjë jetën e saj. Ndaj kishim frikë për nipin. E mora dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës, te prindërit e mi. Atje fjetëm një natë. Ditën tjetër shkova te Vendi i Mirë në Buzmadh të Kukësit ku fjetëm një natë. Ditën tjetër shkuam në Kukës te një kushërira ime ku fjetëm një natë. Pastaj u ktheva në Tiranë ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme. Vendosa ta dorëzoj nipin për shkak të ndjekjes së policisë, por edhe se u arrestua një vëlla dhe tjetri u shpall në kërkim. Ata nuk kanë gisht në vendimin tonë”, ka deklaruar ajo.

Pas dorëzimit të fëmijës, Bahrie Gjuni u arrestua. pritet që të rivlerësohet  rasti dhe të përcaktohet dhe përgjegjësia penale edhe për gjyshin dhe vëllain e Bahrie Gjunit, të dy të arrestuar me vendim gjykate për rrëmbim dhe mbajtje peng të personit në bashkëpunim


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë