Atletike

Thyhet pas 38 vitesh rekordi i hedhjes së diskut! Lituanezi Alekna rishkruan historinë

Gazeta Si – Djali i dy herë kampionit olimpik Virgilijus, lituanezi Mikolas Alekna, ka thyer në Oklahoma rekordin e vendosur nga gjermani Shult në 1986-ën.

Ai i Jurgen Shult ishte rekordi botëror më jetëgjatë te meshkujt. Sportisti i Gjermanisë Lindore, më 6 qershor 1986, në Neubrandenburg (Gjermani), e kishte hedhur diskun 74.08 metra. Një hedhje e famshme, që jo më kot askush nuk arrinte të kalonte. Ai rekord, më në fund ka rënë. E ka thyer lituanezi Mikolas Alekna.

Babai i tij, Virgilijus Alekna, është shpallur dy herë kampion olimpik në hedhjen e diskut (2000 dhe 2004). Mikolas në Oklahoma e ka hedhur diskun 74.35 metra herën e 5-të. Të gjitha tentativat e tij i kanë kaluar 70 metrat dhe kjo ka bërë përshtypje.

Në fundjavë, kur sportistët e kësaj disipline po shijonin kushtet perfekte, Alekna tregoi një formë shumë të mirë, duke përmirësuar hedhjen e tij më të mirë prej 71.39 metrash, që e kishte renditur në vend të 10 në botë.

Alekna ka fituar në karrierë 2 medalje botërore, argjendi në Eugene (SHBA) në 2022-shin dhe bronzi në Budapest verën e kaluar. Ai është një nga favoritët për podin olimpik në Olimpiadën e Parisit. Familja Alekna tani ka 2 nga 3 hedhësit më të mirë të diskut në histori, babai Virgilijus dhe djali Mikolas.

Rekordi botëror më jetëgjatë i të gjitha kohërave në atletikë mbetet ai i 800 metrave për femra, i vendosur nga Jarmila Kratoçvilova në 1983-shin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë