Ngjarje

Ministria e Jashtme: 15 shqiptarë që ishin bllokuar në Izrael janë shëndoshë e mirë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani njoftoi se qytetarët shqiptarë, që udhëtuan javën e kaluar për arsye pune apo turistike në Lindjen e Mesme “janë tashmë shëndoshë e mirë”.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Hasani shpjegon se përmes bashkëpunimit me ambasadat e Izraelit dhe Egjipti, u bë i mundur kthimi i qytetarëve, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të sulmeve iraniane në Izrael.

“Prej mbrëmjes së të shtunës, përmes koordinimit të pandërprerë me ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, nisëm punën për të organizuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon”, shkruan ministri.

Sipas tij, 10 nxënës që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael, 7 prej të cilëve nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova, sëbashku me 5 punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe familjarë të tyre, kanë mbërritur në Qipro.

“Sot në mbrëmje (të dielën) të 15 qytetarët që u larguan nga Tel Aviv udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës”, njofton ministri.

Hasani bëri me dije se është duke u punuar për kthimin në atdhe edhe të dy qytetarëve, të cilët nuk mundën dot të përgjigjeshin në telefon të dielën, ndërsa përgatitej fluturimi i radhës.

Ai ndërkaq u shprehu “mirënjohje diplomatëve të Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, të cilët ndihmuan dhe asistuan qytetarët në këto orë të vështira.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë