Futboll

Spektakël pa fitues, Inter dhe Roma ndahen në paqe

Inter dhe Roma janë ndarë në barazim 2-2 në ndeshjen e parafundit të javës së 14-të të Serie A. Një rezultat që nuk i bën punë asnjë prej ekipeve, por që për mënyrën se si erdhi ndeshja, ishte ndoshta më i drejti. Inter ndalet kështu në barazim një javë para se të përballet e kryesuesit e Juventus, ndërsa Roma vijon të mbetet shumë larg kreut në këtë fazë të parë të kampionatit.

Në 20 minutat e para në “Olmpico” pamë dy ekipe shumë të kujdesshme që zbresin me vështirësi në sulm. Roma fillon të marrë më shumë iniciativën, madje Florenzi frikëson me një gjuajtje potente që ndalet në shtyllë. Por teksa Roma rrezikon, Inter nga ana tjetër duket më konkret. Nga një aksion pa shumë pretendime, Keita Balde çon topin në rrjetë. Sulmuesi shfrytëzoi mjaft mirë krosin e Dambrosio për ta çuar skuadrën zikaltër në dhomat e zhveshjes me një gol më shumë.

Në pjesën e dytë Roma provon të bëjë diçka për ta ndryshuar historinë e kësaj përballje. Në momentin më të mirë të Inter, ku skuadra e Spaletit po kontrollonte ndeshjen, vjen “rrufeja në qiell të pastër”. Ai që trazon ujërat në “Olimpico” do të ishte turku Under. Me një gjuajtje të befasishme nga jashtë zonës, Under çon shifrat në 1-1. Por ky gol nuk demoralizoi Inter, që gjen forca për të reaguar. Do të ishte kapiteni Mauro Ikradi që pas një krosi në zonë kërcen fortë dhe kalon sërish në avantazh Inter. Por nuk ishte e thënë që kjo ndeshje të kishte fitues, pasi vetëm 8 minuta më vonë, Roma do të barazonte sërish. Këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë ishte serbi Aleksandër Kolarov që nuk gaboi dhe çoi sërish rezultatin në baraspeshë.

Mbyllet kështu gjithçka në barazim në kryesfidën e Serie A për këtë javë, me Juventus që vijon shkëputjen e pashqetësuar në krye të tabelës.

Sakaq në ndeshjet e tjera të kësaj të diele në Serie A, Milan ka fituar me Parmën 2-1. Lacio është ndalur në barazim me Kievon, ndërsa Torino ka mposhtur Xhenovën.

Tabela e ndeshjeve:


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë