Drejtësia

Eksperimenti hetimor i vrasjes së Pjerin Xhuvanit, gjykata debaton me ekspertët: Akt jo i plotë!

Gazeta Si – Gjykata e Apelit e ka deklaruar si një “akt të paplotë” eksperimentin hetimor mbi vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, të kryer për të bërë të mundur rindërtimin e skenës së vrasjes së 21 prillit 2021.

Tre ekspertët Arjan Hako, Shpëtim Budo dhe Artan Rexhepi paraqitën në gjykatë akt-ekspertimin, që iu vendos në dispozicion edhe Prokurorisë dhe të dënuarit në Shkallë të Parë, Arbër Paplekaj.

Gjykata ka konstatuar se ekspertët kanë vendosur në fund se nuk kanë pasur kohë për të analizuar pamjet filmike.

Gjykata e Apelit i kërkon ekspertëve të kqyrin edhe pamjet filmike, si edhe të përcaktojë vendosjet e 2 prej personave në ngjarje.

Gjithashtu, duhet të përcaktohet distanca mes viktimave dhe secilit qitës, si edhe mes qitësave nga njëri-tjetri. Seanca e radhës do të mbahet më 7 maj, ora 12:00.

Njëri prej ekspertëve është shprehur se ngjarja e rëndë e Elbasanit ka probleme dhe realiteti nuk është pasqyruar 100%.

Eksperti Arjan Hako: Unë nuk kam mundësi që të thellohem. Më shumë përsa u përket pamjeve filmike nuk e di nëse kolegët mund të kenë diçka tjetër, unë nuk mund të dal në një konkluzion kaq sa kam shkruar mundem.

Gjykata e Apelit: Ju nuk keni përcaktuar ku ndodhej efektivja e policisë. Nuk janë shqyrtuar pamjet filmike siç duhet, në pamje dallohet se një punonjëse policise lëviz në këmbë dhe duket duke çaluar.

Eksperti Arjan Hako: Ndërtimin e vendit të ngjarjes ne e kemi bërë në bazë të gëzhojave, nuk mund ta bëjmë edhe me automjetet, nuk e përcaktojmë dot.

Gjykata kërkon që të përcaktohet nëpërmjet pamjeve filmike se ku ndodheshin automjetet në raport me rrugën.

Eksperti Artan Rexhepi: Këqyrja e vendit të ngjarjes me mekanizmin nuk shkojnë, nuk përputhen. Sa i takon videos, unë e kam një program që mund të nxirrja të dhëna por nuk kishim edhe kohë, për mendimin tim policia nuk është më larg se 1 metër e ca nga vendi ku ka ndodhur përleshja, edhe gëzhojat nuk përcaktojnë realitetin e duhur. Autori bën 4-5 hapa mbrapa dhe duket qartë se turma është e armatosur, nuk përcaktohen qartë ende të gjitha. Gjykata kërkon të saktësohet kush ka qëlluar i pari me armë.

Eksperti Artan Rexhepi: Ajo ngjarje ka probleme, nuk është pasqyruar 100% realiteti, distanca nga është qëlluar ka qenë shumë më e afërt. Kërkojmë kohë që të nxjerrim të dhënat nga pamjet filmike. Për mua, qitësit nuk janë aty ku dalin referuar vendit të ngjarjes me atë çfarë duket në pamje filmike.

Eksperti Shpëtim Budo: Ne mund të bëjmë një shtojcë në akt-ekspertim. Unë nuk kam bërë ekspertim me pamje filmike, sepse pamjet s’më tregojnë distancën. Pamjet filmike nuk ma japin një gjë të tillë. Nuk jam ekspert për pamjet filmike.

Eksperti Artan Rexhepi: Për mua vendgjarja është e kontaminuar, 10 gradë gabim sjell 2 metra distancë në terren.

Prokurori: Përpara se të filloj të lexoj aktin, dua që të di nëse ky akt-ekspertimi është i saktë dhe çfarë duhet të lexojmë.

Ekspertët: Akti nuk është i plotë, duhet bërë edhe një akt i dytë, gëzhojat kanë lëvizur ngaqë lëvizin nga makinat që janë në lëvizje. Kemi nxjerrë përfundimet me përafërsi, ne do të bënim dy akte edhe për pamjet filmike.

Eksperti Arjan Hako: Këqyrja e vendit të ngjarjes ka shumë mangësi. Një akt i ndërtuar mbi këto të dhëna do të ketë probleme, por është i ndërtuar mbi ato të dhëna që kishim. Si pikë referimi ne morëm përqendrimin më të madh të gëzhojave, por aty ka edhe gëzhoja të tjera. Unë nuk e di se çfarë softi ka kolegu, por ne nuk kemi bërë ndonjëherë këqyrje përmes pamjeve filmike. Nuk mund të flasim me saktësi për distancën në metra mes qitësit 1 dhe qitësit 2. Ne kemi vendosur maksimumin 11 metër, por mund të jetë edhe më afër.

Të pranishëm ishin edhe dy ish-nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi dhe 6 efektivë të forcave “Shqiponja”.

Avokati i Paplekajt kërkoi shtyrjen e seancës për të studiuar dosjen për shkak të volumit. “Ka qenë kohë e pamjaftueshme për ta studiuar dhe nuk jam konsultuar me klientin tim. Kërkoj më shumë kohë, doja t’i bëja me dije gjykatës se klienti im s’ka kërkuar të lirohet me afate ligjore, i kërkoj gjykatës që po ashtu edhe të pezullojë afatet e paraburgimit, sepse ne nuk do ta shfrytëzojmë këtë dispozitë. Kërkojmë shtyrjen e seancës, i kam bërë edhe me shkrim pasi unë kërkoj qe të bëj një mbrojte efektive”, tha avokati mbrojtës.

Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan dënoi Arbër Paplekajn në 22 vite burg për ngjarjen që u regjistrua pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme dhe motiv pati dyshimet se disa persona po jepnin para në këmbim të votave.

Paplekaj ishte pjesë e “SMV”-së, Struktura për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga Partia Demokratike.

Pas një sherri verbal, “SMV”-ja dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota dhe menjëherë më pas ndodhi vrasja, ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.

Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot, në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinaku.

Nuk dihet ende kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë.

Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen për vetëmbrojtje, pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë