Nga Gazeta Si - Përmbajtja e amnistisë penale pati një debat në thelb të enjten, dhe ajo lidhej me faktin se cilat kategori përfitonin, me saktë a përfshihen edhe personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale.
Në draftin aktual përjashtohen vetëm subjektet e veçanta që në këtë rast janë deputete dhe ministra.
Gazment Bardhi tha me herët se nuk përfiton asnjë zyrtar i dënuar nga GJKKO.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe ministri Ulsi Manja. Ndërsa Lulzim Basha tha se nga ky dokument përfitojnë kategoritë e tjera poshtë në nivel e drejtori.
Enkelejd Alibeaj në anën tjetër depozitoi një amendament për të përjashtuar të gjithë ata që ishin dënuar nga GJKKO
Nenet debatuese dhe me bold ndryshimet e fundit
Neni 2
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “I dënuar” konsiderohet: a) personi i dënuar nga gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe gjykatat e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe që, brenda afatit ligjor, nuk është bërë ankim në gjykatat përkatëse të apelit, duke marrë formë të prerë brenda datës 31.01.2024;
b) personi i dënuar deri në datën 31.01.2024 nga gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe gjykata e apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;
c) personi i dënuar deri në datën 31.01.2024 kur Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, si dhe personi i dënuar nga Gjykata e Lartë, kur kjo gjykatë ka vendosur ndryshimin e vendimeve të gjykatës së apelit dhe të gjykatës së shkallës së parë, deri në datën 31.01.2024
Neni 5
Kriteret për përfitimin e amnistisë nga zbritja e dënimit
1. Të gjithë personave të dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, sipas nenit 3 të këtij ligji ose, edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë sipas këtij neni, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kritereve ndaluese të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të nenit 4 të këtij ligji, u zbritet:
a) 1 vit e gjysmë nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, gra, dhe të mitur;
b) 1 vit nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, burra.
2. Pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të këtij neni, nuk përfitojnë zbritje të dënimit: a) personat e dënuar me burgim për veprat penale të parashikuara në nenet 79, 79/a, 79/b dhe 79/c të Kodit Penal;
b) personat e dënuar me burgim të përjetshëm;
3. Nuk përfitojnë nga zbritja e dënimit personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë, sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji.
Neni 6
Kriteret për përfitimin e amnistisë nga ndjekja penale
1.Përjashtohen nga ndjekja penale të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 31.01.2024, për të cilat Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, me përjashtim të veprave të parashikuara nga nenet 91, 96, në paragrafin e dytë të nenit 112, në nenet 119, 119/a, 119/b, 120, 121, 122, në paragrafin e parë të nenit 124/b, në nenet 125, 127, 204, 205, 206, 207, në paragrafin e parë të nenit 257/a, në nenet 269 dhe 318 të Kodit Penal”
2. Nuk përfitojnë nga ky nen personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.
3. Nuk përfitojnë nga pika 1 e këtij neni subjektet e posaçme, akuzat penale ndaj të cilave gjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sipas përcaktimeve të shkronjave “c” dhe “ç”, të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale
Propozimi i Enkelejd Alibeajt
Neni 3
Në nenin 5, bëhet shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Shtohet shkronja “c”, e pikës 2, si më poshtë:
“c. personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.