Drejtësia

Dyqane, apartamente e makina, SPAK sekuestron pasuri të familjarëve të Gëzim Çelës i arrestuar për trafik droge

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar sekuestrimin e pronave dhe pasurive të familjarëve të Gëzim Çelës, i njohur edhe si “Baroni i Drogës”, i cili drejtonte rrjetin e tij kriminal nga Fushë-Kuqja.

Bëhet fjalë për njësi tregtare, 3 apartamente me vlerë mbi 400 mijë euro, para dhe një numër i konsiderueshëm automjetesh janë vendosur në sekuestro provizore me kërkesë të Prokuorirsë së Posaçme.

Në sekuestro janë vënë pasuritë e ish-gruas së Çelës, Miranda Thardorit, si edhe pasuritë e të vëllait Naim Çelës, dhe të një ortaku, të cilat dyshohet se janë vënë nga trafiku i drogës. Në sekuestro janë vënë apartamente, 12 makina, llogari bankare e një shoqëri tregtare.

Ish-bashkëshortes së Çelës, i janë vënë në sekuestro 1 dyqan dhe 2 apartamente me vlerë mbi 400 mijë euro. Dyqani i sekuestruar në Tiranë, ka vlerën 321 120 Euro, ndërsa po ashtu dy apartamentet ndodhen në kryeqytet, konkretisht me vlerat 40 000 Euro dhe 42 200 Euro.

Ndërkohë, Naim Çelës, i vëllai i ‘baronit të drogës’, i janë sekuestruar 2 automjete, një BMW dhe furgon i markës Mercedes Benz. Po ashtu në sekuestro i janë vënë edhe dy llogari bankare me vlerë, 4.7 mln lekë e 57 mijë euro.

Gëzim Çela, i ashtuquajtur “Baroni i drogës”, u ekstradua nga Kosova në fillim të muajit mars, pas një dekade në arrati.

Çela u shpall në kërkim fillimisht nga drejtësia shqiptare në vitin 2014 për ngritjen e një laboratori të përpunimit të kokainës në Fushë Kuqe dhe më pas u dënua në mungesë nga ish-Gjykata për Krime të Rënda.

Gjatë kësaj kohë ai qarkulloi i lirë dhe ra në rrjetën e një tjetër hetimi të finalizuar në gusht të 2023 nga SPAK, për një rast të trafiku të lëndëve narkotike që do të bëhej me shkëmbim në det.

Policia thotë zyrtarisht se 56-vjeçari akuzohet si kreu i një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike, nga Shqipëria në Europë.

Para problemeve të nisura me autoritetet shqiptare, Gëzim Çela kërkohej edhe nga shteti italian, që e akuzonte gjithashtu për trafik të lëndëve narkotike.

Pronat e sekuestruara nga SPAK

1.Pasurisë së llojit “Njësi Tregëtare”, me sipërfaqe 237 m2, në pronësi të shtetases Miranda Thardori , e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 321 120 Euro (sipas kontratës së porosisë së datës 18.02.2008);

2.Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe 74 m2, në pronësi të shtetases Miranda Thardori , e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 42 200 Euro;

3.Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe totale 77, 2 m2 në pronësi të shtetases Miranda Thardori, e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 40 000 Euro;

4.Automjetit BMW X3 3.0D, në pronësi të shtetasit Naim Çela.;

5.Automjetit furgon i markës Mercedes Benz, Tipi 639, Modeli Vito 109 CDI, në pronësi të subjektit Naim Çela.;

6.Shuma monetare në total prej 4 576 585 Lekë, në llogaritë bankare të shtetasit Naim Çela;

7.Shuma monetare në total prej 57 219 Euro, përkatësisht në llogarinë bankare të shtetasit Naim Çela. dhe e sekuestruar CASH shtetasit Gezim Cela;

8.Subjektin “X…….” sh.p.k., me administrator dhe ortak të vetëm shtetasin G.Gj, të gjitha asetet e tij, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë dhe pasuritë e luajtshme, automjetet si më poshtë vijon:

·Volkswagen Golf, prodhim i vitit 2015;

·B.M.W., prodhim i vitit 2011;

·Volkswagen, prodhim i vitit 2006;

·Audi, prodhim i vitit 2007;

·B.M.W., prodhim i vitit 2004;

·Fiat “Doblo”, prodhim i vitit 2014;

·Mercedez Benz, prodhim i vitit 2010;

·Daimler Chrysler, prodhim i vitit 2007;

·Volkswagen Golf, prodhim vitit 2009;

·Volkswagen Golf Tdi, prodhim i vitit 2016


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë