Nga Gazeta ‘SI’ - Një metër katror i një apartamenti në Tiranë shitet mesatarisht me 1.548 euro, sipas të dhënave të Keydata Albania, publikim nga Çelësi Media.
Shifrat i përkasin tremujorit të fundit të 2023-shit, ndërkohë që matjet krahasohen me vitin 2021. Që nga ajo kohë, indeksi tregon se çmimet mesatare të banesave në kryeqytet janë rritur me 41%.
Indeksi analizon trendin e çmimeve në tre zona, Bllok, Unazë e Vogël dhe jashtë Unazës së Vogël.
Në vlerë, apartamentet në Bllok janë më të shtrenjta, mesatarisht 2.160 euro/m2, rritur me 45%, por shtrenjtimin më të madh e ka pasur Unaza. Sipas indeksit, çmimi mesatar i shitjes brenda Uazës së Vogël, u rrit me 56% dhe raportohet 1.804 euro/m2.
Rritje të konsiderueshme ka pasur edhe në zonat jashtë Unazës, deri në 1.434 euro/m2, rreth 38% më të larta se në 2021-shin.
Edhe çmimet mediane janë rritur nga 2021-shi në 2023-shin, me 42.1%, nga 991 euro/m² në 1,452 euro/m².
Keydata analizon se rritja që nisi që pas pandemisë së Covid, kulmoi në tremujorin e tretë të 2023-shit, me rritje 21%.
Për ekspertët e tregut imobiliarë, rritja e çmimeve të banesave, e cila shkon përtej Tiranës, është rezultat i kërkesës së lartë, ofertës së ulët dhe rritjes së kostove për ndërtuesit. Raporte nga institucione vendase dhe ndërkombëtare, flasin për aktivitetin e pastrimit të parave si arsyeja kryesore e shtrenjtimit të pronës në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.