Nga Alessio Marchionna – Suksesi i ekonomisë amerikane është befasues në shumë aspekte, sidomos kur krahasohet me ecurinë ekonomike të vendeve të tjera të pasura. Është një çështje, që meriton një shqyrtim të mëtejshëm. Kohët e fundit, kam lexuar artikuj të ndryshëm dhe shumë të dobishëm për të kuptuar arsyet e këtij hendeku, dhe në veçanti 2 analiza shumë të qarta të botuara në The Atlantic dhe BBC.
Para së gjithash kanë rëndësi të dhënat. Në 3-mujorin e katërt të vitit 2023, PBB-ja e SHBA-së u rrit me 3.3 për qind, duke tejkaluar shumë parashikimet e ekonomistëve që prisnin një rritje prej rreth 2 për qind. Nëse analizohet i gjithë viti, rritja është 2.5 për qind.
Sërish më e lartë se ajo e të gjitha ekonomive të tjera të përparuara, dhe ka shumë mundësi që të jetë e ngjashme edhe këtë vit. (artikulli i BBC-së përmban një grafik që tregon distancën e madhe me Evropën, Britaninë e Madhe, Japonia dhe Kanadanë).
Situata e shkëlqyer e ekonomisë amerikane, konfirmohet nga rritja e tregut të aksioneve, papunësia në nivelet më të ulëta historike (gati gjysma në krahasim me zonën e euros), rritja e pagave dhe e pasurisë pas përfundimit të pandemisë, veçanërisht e dukshme midis njerëzve të grupmoshës 18-39 vjeç.
Elementi i parë që shpjegon distancën midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, ka të bëjë me reagimin ndaj pandemisë. The Atlantic shkruan:”Kur nisi pandemia në mars 2020, qeveritë në mbarë botën hapën thesin e parave për të frenuar pasojat negative në ekonomi dhe shoqëri.
Britania e Madhe dhe Gjermania shpenzuan rreth 460 miliardë euro. Franca shpenzoi 215 miliardë, Italia 200 miliardë euro. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara, shpenzuan 5 trilion dollarë, shumica e të cilave përfunduan në xhepat e punëtorëve, familjeve dhe sipërmarrësve.
Një sasi shumë më e madhe, edhe pasi rregullimeve të nevojshme në vlerën e sotme të dollarit, sesa ajo që shpenzoi Amerika për New Deal dhe Luftën e Dytë Botërore të marra së bashku. Mbi të gjitha, është më shumë se 2-fishi i asaj që kanë shpenzuar shumica e vendeve evropiane për zbutjen e pasojave negative të pandemisë, në krahasim me madhësinë e ekonomive të tyre përkatëse”.
Natyrisht, shpenzimet më të larta të SHBA-së shpjegohen, edhe me faktin se ky vend nuk ka një rrjet sigurie sociale të ngjashme me atë të vendeve evropiane, të cilat në fillim të pandemisë mundën t’i përshtatnin programet ekzistuese pa i rritur shpenzimet.
“Por ky avantazh afatshkurtër, nuk mundi të kompensojë hendekun e madh në madhësinë e stimulit financuar”- nënvizon BBC. Diferencën e bëri edhe mënyra në të cilën qeveritë vendosën t’i shpenzojnë këto para. Evropa i mbështeti punëtorët duke i paguar sipërmarrësit, në mënyrë që ata të mos pushonin nga puna punonjësit e tyre.
Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë një sistem papunësie të ndërlikuar dhe fragmentuar, e kanë pasur më të lehtë që t’u japin para drejtpërdrejt punëtorëve. Kështu, kur përfundoi pandemia, dhjetëra miliona amerikanë e gjetën veten me shumë para të kursyera, dhe ishin në gjendje të nisnin të shpenzonin sërish pavarësisht rritjes së inflacionit.
Dhe kjo u dha mundësi kompanive të vazhdonin punësimin, të rrisnin pagat dhe të bënin investimet e nevojshme për të ruajtur rritjen e ekonomisë. Ndërkaq, konsumatorët evropianë, që po përballeshin me inflacionin, rritjen e çmimeve të energjisë dhe rritjen e normave të interesit, u detyruan të ulnin shpenzimet.
Diferenca mbi mënyrën se si shpenzohen paratë, i ka ndihmuar edhe Shtetet e Bashkuara në lidhje me ecurinë e tregut të punës. Në teori, strategjia evropiane – pagimi i punëdhënësve për të mos pushuar punonjës nga puna – ishte më e mirë.
Sapo të përfundonte kriza shëndetësore e shkaktuar nga pandemia, evropianët do të ktheheshin tek punët e tyre, ndërsa amerikanët, që kishin humbur vendin e punës duhej të kërkonin një punë të re, dhe të gjithë në të njëjtën kohë. Por në vend të kësaj, ndodhi diçka e papritur.
“Kur u rihap ekonomia amerikane, dhjetëra milionë punëtorë të pushuar nga puna nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të kërkonin diçka të re. Dhe të pajisur me çeqet që kishin marrë nga qeveria, ata kishin luksin të ishin më përzgjedhës. Për pasojë, shumë njerëz gjetën vende pune më të mira se sa para pandemisë, ndërsa shumë të tjerë kanë hapur bizneset e tyre.
Ndër vendimet që kanë mundësuar rritjen e madhe të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara, ekonomistët përmendin edhe investimet e mëdha të miratuara nga Kongresi për të ripërtërirë infrastrukturën dhe për të adresuar krizën e ndryshimit të klimës.
Masa që ndër të tjera e mbronin ekonominë amerikane nga efektet negative të shkaktuara nga rritja e normave të interesit. Shtetet e Bashkuara u ndihmuan edhe nga gjeografia. Në fakt, Evropa vuajti më shumë nga efektet e pushtimit rus të Ukrainës, veçanërisht për shkak të rritjes së kostos së energjisë.
Çmimet e gazit në Evropë midis fillimit të vitit 2021 dhe gjatë 2022-it, u rritën me 20 për qind, ndërsa në Shtetet e Bashkuara me vetëm 3-4 për qind. Pavarësia energjetike e vendit të tyre, i ka ndihmuar familjet amerikane dhe rrjedhimisht gjithë ekonominë e SHBA-së.
Fuqia më e madhe shpenzuese e qeverisë amerikane, në krahasim me ato evropiane pati një ndikim edhe më të madh. Që nga viti 2019, Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar më shumë se 10 trilion dollarë borxhin kombëtar. Vitin e kaluar, qeveria shpenzoi 1700 miliardë dollarë më shumë sesa arriti të mbledhë nga taksat.
Ky lloj shpenzimi i deficitit, është i paimagjinueshëm për liderët evropianë. Që nga kriza financiare e vitit 2008, kontinenti ka përjetuar një sërë krizash borxhi aq të rënda sa kërcënojnë ta shkatërrojnë bashkimin ekonomik. Dhe sot shumë udhëheqës evropianë janë të tmerruar nga shpenzimet e deficitit.
Gjatë vitit të kaluar, shumë vende evropiane kanë shkurtuar ndjeshëm buxhetet, pikërisht në kohën kur ekonomitë e tyre kishin dëshpërimisht nevojë për më shumë shpenzime. Këto vendime i kanë zemëruar votuesit, kanë nxitur protesta kundër qeverive, dhe kanë ndihmuar forcimin e partive të ekstremit të djathtë”.
Burimi: Internazionale/ Përshtati: Gazeta Si
Shënim: Alessio Marchionna është redaktor në Internazionale
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




