Biznes

Shqipëria jo aq tërheqëse për investitorët e huaj, opsioni i fundit në Ballkan

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria, ndonëse është kthyer në një pikë tërheqëse për investimet e huaja, në shifra nuk rezulton ashtu.  

Sipas indeksit Global të Mundësive për vitin 2024, Shqipëria mban vendin e 73-të dhe është e fundit në Ballkan për investimet e huaja. Raporti e përmend Shqipërinë si një ndër vendet, ku investimet e huaja po bien poshtë mesatares europiane dhe globale.

Indeksi matet në bazë të 5 treguesve. Aty ku Shqipëria performon më keq dhe e bën atë jo-tërheqëse për investitorët janë shërbimet financiare dhe renditet në vendin e 93-të. Treguesi i dytë me vlerësim negativ për Shqipërinë është korniza institucionale, lidhur me qeverisjen, në vendin e 84-të.

Shqipëria performon më mirë në “Perceptimin e Biznesit”, që lidhet kryesisht me masat dhe kufizimet që has biznesi, si dhe masat lehtësuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke u renditur në vendin e 62. Në të njëjtin pozicion qëndron edhe për “bazat ekonomike”, që lidhen me parashikimin makroekonomik të vendit, kualifikimin e fuqisë punëtore dhe potenciali për zhvillimin inovativ të vazhdueshëm.

2023-shi solli një rënie të IHD-ve në vend dhe investitorët e huaj u bënë më pesimistë për klimën e biznesit në Shqipëri. Raporti i fundit për këtë tregues i përket vitit të shkuar, nga FIAA shoqata e bizneseve të huaja në vend.

Sipas tyre, zhvlerësimi i euros dhe inflacioni i lartë janë kthyer në rrezik për investimet. Po aq serioze vlerësohet dhe rritja e çmimeve të tregut imobiliar në vend. Në fushën fiskale, për shoqatën e bizneseve të huaja është problem ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit mbi taksat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë