Nga Gazeta ‘Si’-Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të hënën në Bruksel se do të vazhdohet presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe Serbisë, që t’i zbatojnë obligimet e tyre nga marrëveshja e Ohrit.
Borrell i ka bërë këto deklarata duke folur para gazetarëve, në prag të nisjes së takimit ministror të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.
Edhe këtë herë, ai ka shprehur keqardhje se një vit pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, niveli i zbatimit të saj nga palët ka qenë shumë më i vogël sesa që ai kishte pritur.
Ai i është referuar pajtueshmërisë mes Kosovës dhe Serbisë për aneksin e një marrëveshjeje, për të cilën palët u darkodësuan në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.
“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Ohrit. Koha po fluturon dhe tashmë është bërë një vit prej kur kishim arritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të lëviznin përpara drejt normalizimit. Për fat të keq, përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, Serbia dhe Kosova kanë arritur shumë pak progres”, ka thënë Borrell para gazetarëve, duke paralajmëruar edhe takimin e radhës në kuadër të dialogut, në nivelin e kryenegociatorëve.
“Së shpejti do të kemi takimin tjetër të kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen keq se kjo marrëveshja, e cila ishte shumë vështirë të arrihej, nuk është zbatuar. Do të vazhdojmë të bëjmë presion ndaj të dyja palëve në mënyrë që të lëvizin përpara. Por, një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa unë kisha pritur të jetë”, ka thënë shefi i diplomacisë së BE-së.
Ai ka bërë komente të ngjashme edhe të dielën në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij, në përvjetorin e Marëveshjes së Ohrit.
Ndërkohë, për të martën(19 mars) në Bruksel është paralajmëruar takimi i radhës në kuadër të dialogut, ku Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen nga kryenegociatorët.
Nga Kosova pritet të marrë pjesë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ndërsa delegacionin e Serbisë e udhëheq drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




