Kosova

Një vit nga Marrëveshja e Ohrit, BE shpreh keqardhje për progresin e kufizuar në zbatimin e saj

Nga Gazeta ‘Si’-  Është bërë një vit që kur është arritur Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia finalizuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se tani është koha që Kosova dhe Serbia t’i japin fund krizës dhe tensioneve dhe të ecin përpara në një “epokë të re europiane”, duke e zbatuar marrëveshjen.

Borrelli tha se kjo marrëveshje dhe Aneksi i Zbatimit të saj u arritën pas muajsh negociatash intensive nën lehtësimin e Bashkimit Evropian për të ndihmuar palët të bëjnë një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Kryediplomati evropian shprehu keqardhje që, “përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje”.

“BE-ja rikujton vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm dhe të besueshëm.

Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – evropiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, theksoi ai.

Borrelli tregoi se presin që “liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme”.

Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ndërsa përkujtoi se ka një vit që Serbia dhe Kosova kanë arritur Marrëveshjen e Ohrit theksuar se Bashkimit Evropian i vjen keq që është bërë progres i kufizuar në zbatimin e saj.

“Prandaj Bashkimi Evropian u bën thirrje liderëve të Serbisë dhe Kosovës që të tregojnë përgjegjësi dhe nëse nuk e bëjnë këtë, do të rrezikohet besueshmëria dhe integrimi evropian”, ka thënë Stano në rrjetin social X.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër të tjera parashikon edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Brukseli ka akuzuar të dyja palët për moszbatim të marrëveshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë