Analize

Rivaliteti franko-gjerman rrezikon ta destabilizojë BE-në

Nga Khaled Ebu Zahr* – Tensionet midis Francës dhe Gjermanisë, dhe sidomos ato midis presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, kanë filluar të tregojnë një shkëputje historike nga ajo që ishte deri vonë shtylla e ndërtimit të projektit evropian: motori franko-gjerman.

Sot jemi larg afërsisë që kishin dikur midis tyre presidenti Charles de Gaulle dhe kancelari Konrad Adenauer apo presidenti Francois Mitterrand dhe kancelari Helmut Kohl. Në periudha të rrezikshme gjeopolitike dhe ushtarake, këto tensione po e vënë në rrezik gjithë stabilitetin dhe sigurinë e Evropës.

Në fakt, lufta në Ukrainë është vetëm ‘maja e Ajsbergut’ e pikëpamjeve të kundërta të këtyre 2 fuqive mbi të ardhmen e Evropës. Kur flitet për Ukrainën, mosmarrëveshja mbi furnizimin e Ukrainës me raketat gjermane “Taurus”, dhe sugjerimi i Macron për dërgimin e trupave perëndimore në frontin e luftës, i ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet franko-gjermane.

Kjo ka çuar në akuzat e Francës se Gjermania nuk po kontribuon sa duhet në mbështetjen e Ukrainës në luftën kundër pushtimit rus. Ndërsa Gjermania po e akuzon Macron për marrjen e vendimeve të njëanshme. Dekonspirimi në media i një bisede të regjistruar të 4 ushtarakëve të lartë gjermanë ,tregon se pavarësisht deklaratave të Scholz, po shqyrtohet perspektiva e furnizimit të Ukrainës me raketat e famshme me rreze të gjatë.

Në atë regjistrim, ushtarakët thonë ndër të tjera se armët mund të përdoren edhe për të goditur Urën e Kerçit, e cila lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë. Për më tepër, një raport i fundit i medias franceze, tregoi se shtimi i furnizimit me armë të Gjermanisë për Ukrainën, e ka pozicionuar Berlinin si furnizuesin e dytë më të madh të armëve për Kievin pas Uashingtonit, dhe kjo bie ndesh apo madje i sfidon edhe akuzat e Parisit zyrtar.

Në realitet, Franca mbetet shumë prapa, në vendin e 14-të, sa i përket furnizimeve ushtarake por edhe ndihmës financiare për Ukrainën. Këto mosmarrëveshje të hapura mbi Ukrainën, po gëlojnë prej kohësh, dhe janë që të gjitha të ndërlidhura me një ndryshim më të gjerë dhe më të thellë në vizionin e 2 vendeve, nga ekonomia dhe energjia, nga tek siguria dhe mbrojtja.

Energjia është një element kyç i kësaj përplasjeje. Ndonëse Parisi dhe Berlini, arritën më në fund një marrëveshje mbi metodën e përcaktimit të çmimit për megavat-orë energji elektrike në një samit të mbajtur në Hamburg vitin e kaluar, të dy vendet vazhdojnë të mbështesin dy modele energjetike të kundërta me njëra-tjetrën.

Ndërsa Franca ka një histori të provuar të përdorimit efikas të energjisë bërthamore, si një burim i besueshëm energjie, Gjermania i ka mbyllur termocentralet e saj bërthamore dhe po mbështetet tek një përzierje e energjisë tradicionale me atë të rinovueshme. Megjithatë, ëhstë e qartë se aktualisht modeli gjerman nuk po funksionon.

Në fakt, si një nga rrjedhojat e luftës në Ukrainë, Berlini e ka humbur qasjen ndaj gazit natyror të lirë që blinte nga Moska. Kjo ka qenë një tronditje e paprecedentë për industritë gjermane që kanë nevoja të mëdha për energji, dhe të cilat kanë qenë prej kohësh fuqia kryesore e prodhimit të Evropës.

Ndërsa vazhdon të përpiqet të nxisë përzierjen e saj të burimeve drejt energjisë së rinovueshme, Gjermania po fokusohet tani në gazin natyror të lëngshëm, të transportuar me anije, i cili prodhon më shumë emetime të gazeve serrë, gjë që tregon se si axhenda e verbër drejt burimeve të rinovueshme, e ka vënë në rrezik Evropën.

Me këtë përplasje mbi sektorin energjetik, është zhbërë modeli gjerman i përsosmërisë ekonomike. Kjo ka vërtetuar edhe komentet e ekonomistëve francezë të bëra dekadën e fundit, se që nga futja në përdorim e euros, industria gjermane është subvencionuar në mënyrë indirekte për shkak të fuqisë së markës gjermane.

Kjo e lejoi të rriste shumë eksportet e saj por edhe ekonominë e saj në kurriz të anëtarëve të tjerë. Sot, ndërsa ekonomia e Francës po rritet, ajo e Gjermanisë po tkurret. Megjithatë, nga ana tjetër, Gjermania ka qenë shumë më e kujdesshme në lidhje me borxhin publik dhe politikën fiskale.

Borxhi publik i Francës është rritur në më shumë se 3 trilionë euro, ose 112.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, krahasuar me më pak se 100 për qind në vitin 2019. Deficiti buxhetor vjetor është rreth 5 për qind e PBB-së, shumë mbi kufirin prej 3 për qind vendosur nga Brukseli.

Ndërkohë, borxhi publik i Gjermanisë, pavarësisht rritjes në 2.5 trilionë euro, pritet të jetë vetëm 63.5 për qind e PBB-së deri në fundin e 2024-ës, por shumë më poshtë sesa niveli i Francës. Për më tepër, bilanci fiskal i konsoliduar i Gjermanisë, regjistroi një deficit prej vetëm 2.1 për qind të PBB-së në dhjetor 2023, një normë në përputhje me tavanin që ka vendosur Brukseli.

Dhe ndërsa Berlini po synon të detyrojë vendet e tjera të bllokut që ta respektojnë këtë tavan, Franca e kundërshton atë. Dhe kështu, nëse Gjermania është sot “e sëmura e Evropës”, siç kanë qejf ta cilësojnë shumë gazetarë, atëherë Franca është “studentja e dobët”, që kërkon të përfitojë nga puna e studentëve më të mirë.

Kur diskutohet mbi çështjen e mbrojtjes, Berlini dhe Parisi e akuzojnë në mënyrë indirekte njëri-tjetrin se po kërkojnë përfitime shtesë nga partneriteti i tyre industrial. Raportet e medias, tregojnë se Berlini qëndron prapa vetos së qeverisë italiane kundër blerjes së planifikuar prej 1.8 miliardë dollarësh të kompanisë italianne Microtecnica nga konglomerati francez Safran.

Dhe nga një perspektivë më strategjike, zyrtarët gjermanë e akuzojnë Francën se është hezituese ndaj NATO-s, dhe jo mjaftueshëm e përkushtuar ndaj vlerës së saj strategjike. Megjithatë, kjo deklaratë është në kundërshtim të plotë me politikën energjetike afatgjatë të Gjermanisë, e cila mbështetej tek Rusia, në një kohë kur NATO po synonte të kundërshtonte ndërhyrjen e Moskës.

Listës së dallimeve të shuma franko-gjermane, ne mund t’i shtojmë edhe marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat tashmë janë të lidhura shumë ngushtë me politikat e tyre të mbrojtjes. Në fakt, e gjitha kjo është më shumë se sa një përplasje e thjeshtë midis megalomanisë së Emmanuel Macron dhe sjelljes më të rezervuar të Olaf Scholz.

Ajo shtrihet përtej akuzave të Macron, i cili po synon të shfrytëzojë mundësinë e krijuar nga fundi i lidershipit historik të Angela Merkel, për t’u bërë udhëheqësi i pakontestueshëm i Evropës, ndërsa po përpiqet të shfrytëzojë vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore për t’iu kundërvënë Gjermanisë.

Në thelb, përplasja Berlin-Paris ka të bëjë me mungesën e vendimmarrjes së mirëfilltë politike evropiane dhe të një pozicionimi të qartë të BE-së brenda aleancës transatlantike. Në fakt, më shumë se sa Brexit, këto tensione në rritje po e vënë në rrezik serioz stabilitetin e ardhshëm të Bashkimit Evropian, dhe për këtë arsye ato duhet që të adresohen dhe zbuten sa më parë.

Burimi: Arab News/ Përshtati: Gazeta Si

*Khaled është CEO i Eurabia Media, kompania kryesore e lajmeve në Lindjen e Mesme


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë