Bota

Mbahen pa surpriza zgjedhjet presidenciale në Rusi, Putin drejt mandatit të pestë, 3 rivalë anonimë në garë

Rusët i janë drejtuar kutive të votimit që në orët e para të mëngjesit për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Por ashtu siç edhe pritet, në këto zgjedhje që do vazhdojnë për 3 ditë, nuk do të ketë ndonjë surprizë, pasi pritet që Vladimir Putin të rikonfirmohet në një mandat të pestë si president i Federatës Ruse.

Kjo pasi përballë tij janë 3 kandidatë me profil të ulët politik, që nuk njihen si kundërshtarë të fortë, por edhe për faktin se Kundërshtarët e vërtetë  të Putin ose janë në burg ose jashtë Rusisë, ndërsa më i rrepti prej tyre, Alexei Navalny, vdiq pak javë më parë në një burg Siberi.

Votimet po mbahen në 11 zonat e vendit, si dhe në rajonet e aneksuara nga Ukraina. Zgjedhjet zhvillohen në sfondin e një shtypjeje të pamëshirshme që ka gjymtuar median e pavarur dhe grupet e të drejtave të njeriut, gjë që i ka siguruar presidentit Putin kontrollin e plotë të sistemit politik.

Po ashtu këto zgjedhje mbahen ndërsa agresioni i Moskës në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë. Ukraina dhe Perëndimi e kanë dënuar mbajtjen e votimeve në rajonet ukrainase të pushtuara nga forcat ruse. Sipas analistëve Ukraina është në qendër të këtyre zgjedhjeve, pasi Putin dëshiron të përdorë fitoren si dëshmi se lufta e tij gëzon mbështetje të gjerë. Opozita, ndërkohë shpreson të përdorë votën për të demonstruar pakënaqësinë e saj si me luftën ashtu edhe me Kremlinin dhe u ka bërë thirrje të pakënaqurve me Putinin ose me luftën, të paraqiten në qendrat e votimit mesditën e së dielës, në shenjë proteste.

“Duhet të përdorim ditën e zgjedhjeve për të treguar se ekzistojmë dhe jemi shumë prej nesh, jemi njerëz të gjallë, të vërtetë dhe jemi kundër Putinit. ... Çfarë do të bëni më pas varet nga ju. Ju mund të votoni për çdo kandidat përveç Putinit. Ju mund të prishni fletën tuaj të votimit”, tha e veja e tij, Yulia Navalnaya.

Vëzhguesit nuk kanë shpresë se zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme. Përtej faktit se zgjedhësve nuk u është lënë mundësi e madhe zgjedhjeje, mundësitë për vëzhgim të pavarur janë shumë të kufizuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë