Politike

Nikolla: Po punojmë për rikthimin në normalitet të Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zhvilloi një takim të hënën me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së, z. David Wisner.

Sipas njoftimit për shtyp, “Kryetarja Nikolla nënvizoi se Kuvendi po punon për avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike”.

“Gjithashtu znj. Nikolla e informoi z. Wisner mbi përpjekjet për rikthimin e veprimtarisë së Kuvendit në normalitet, për zhvillimin e debatit parlamentar gjatë seancave plenare, në mënyrë që publiku dhe qytetarët të njihen më mirë me përmbajtjen e legjislacionit që shqyrtohet e miratohet në Kuvend”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Nga ana tjetër, z. Ëisner vuri në dukje se SHBA dhe partnerët e Shqipërisë do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë në konsolidimin e demokracisë, fuqizimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe integrimin euro-atlantik si edhe vlerësojnë angazhimin e institucioneve shqiptare në përparimin e vendit. Parlamenti, sipas tij, është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe sistemin demokratik dhe është e dobishme që palët në Kuvend të angazhohen për t’u shërbyer qytetarëve dhe të ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë