Ish-kampioni me origjinë shqiptare Pirro Dhima që ka garuar për Greqinë është rikthyer të flasë për median greke lifo.gr për vështirësitë që ka hasur, duke filluar që nga koha kur shkoi në Greqi dhe deri tek ndarja nga jeta e gruas së tij.
Ndër çështjet, për të cilat Dhima është pyetur ka qenë edhe raportet që ai krijoi në shtetin grek dhe luftën kundër fenomenit të racizmit për shkak të origjinës së tij shqiptare. Sipas tij shoqëria greke në fillim të viteve 90’ ishte raciste dhe ai i shpëtoi këtij diskriminimi vetëm për faktin që ishte kampion në peshëngritje.

“Racizmi është një fenomen kompleks, ka të bëjë me kohërat dhe kushtet në të cilat jetojnë çdo shoqëri. Unë shkova në Greqi tridhjetë vjet më parë, kur një valë e madhe emigrantësh shkuan jo vetëm nga Shqipëria, por nga e gjithë Europa lindore. Në një shoqëri të mbyllur si ajo greke dihej që do të kishte një reaksion. Por sot një grek 30-vjeçar që ka shkuar në shkollë me fëmijët e kombësive të tjera, ka punuar, ka vendosur marrëdhënie me ta, ai nuk mbart konservatorizmin e prindërve të tij, është normale. Por kur erdha në Greqi, ishte ndryshe. Në Greqi isha shqiptar, në Shqipëri isha grek, një rrëmujë e vërtetë. Ka pasur plot raste që unë mund t’i përmend, por për fat të mirë çdo gjë tashmë ka kaluar dhe nuk ia vlen që t’i rikthehemi. Unë mendoj se grekët janë racistë më ata që janë më të dobët. Jam i sigurt se unë nëse nuk do isha bërë kampion, nuk do më kishin pranuar aq lehtë.

Më tej në intervistën e tij të gjatë për median greke, Dhima ka folur edhe për eksperiencën e tij si politikan në parlamentin helen. “Ishte një eksperiencë që unë jam i lumtur që e kam përjetuar, por që gjithashtu e kam lënë tashmë. Për fat të mirë e kuptova në kohë që nuk jam për politikën aktive. Në kokën time vlonin dhe vlojnë të tjera gjëra përtej politikës.”- ka thënë ish-peshëngritësi me origjinë shqiptare.
Aktualisht Pirro Dhima është transferuar në SHBA ku jeton me fëmijët e tij dhe gjithashtu merret me përgatitjen e peshëngritësve të rinj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




