Futboll

Kukësi ndahet edhe me Besar Musollin, futbollistin e tij më besnik

Te Kukësi i kanë idetë të qarta: do të qëndrojnë vetëm ata futbollistë që i bëjnë punë ekipit. Këtij rregulli nuk i ka shpëtuar as një nga lojtarët-flamur të Kukësit të Superiores, Besar Musolli. Klubi verior dhe mesfushori kosovar kanë ndërprerë kontratën me mirëkuptim. Një ndarje i dhimbshme, pasi Musolli është lojtari më besnik i Kukësit, një nga ata që kanë kontribuuar më shumë se askush tjetër për fanellën e këtij ekipi në 7 vite, ku i ka fituar të gjithë trofetë.

Lajmi është bëri i ditur nga klubi kuksian me anë të një postimi në faqen zyrtare, ku shkruan: “Mesfushori kosovar dhe klubi ynë, kanë arritur të ndërpresin marrëdhëniet me konsensus të plotë mes palëve. 29-vjeçari nga Podujeva nuk është aktivizuar për një kohë të gjatë me skuadrën tonë, për shkak të një dëmtimi, duke e detyruar të jetë për një periudhë të gjatë larg fushave të blerta. Besar Musolli me fanellën e Kukësit arriti të bëhej lojtar profesionist, duke marrë përsipër rolin e zëvendëskapitenit, duke iu bashkuar edhe kombëtares së Kosovës. Gjithashtu, ai ka arritur të regjistrojë 223 prezenca me skuadrën tonë, duke arritur të fitojë Superligën, Kupën e Shqipërisë, Superkupën dhe duke kaluar në turin e katërt të Europa League. Futboll Klub Kukësi i uron Besar Musollit shërim sa më të shpejtë dhe e falenderon kosovarin për kontributin e dhënë me skuadrën tonë, ndërkohë që dera jonë do të jetë e hapur gjithmonë për të. Faleminderit!”

Dëmtimi serioz i mesfushorit ka bërë që situata të vijë në këtë pikë. Ai nuk mund t’i shërbejë Kukësit edhe për një kohë të gjatë dhe për këtë arsye palët kanë vendosur të shkëputin marrëdhëniet. Pak javë më parë, Kukësi largoi edhe sulmuesin Haris Harba, një nga përforcimet e verës, por që nuk dha atë që prisnin drejtuesit e klubit. Shpesh trajneri Cungu ka thënë se grupi i futbollistëve që drejton nuk është i plotë dhe se i duhen përforcime patjetër në janar, ndaj dhe drejtuesit po bëhen gati që tani, duke liruar disa vende.

Besar Musolli ka qenë një nga lojtarët më korrektë të futbollit shqiptar, një titullar kyç i Kukësit në mesfushë. Tani ai po mendon vetëm për fazën e riaftësimit, për të qenë i gatshëm për të luajtur sezonin e ardhshëm, me shumë mundësi në kampionatin kosovar, edhe pse Kukësi ia ka lënë derën hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë