Nga Gazeta ‘Si’ - Dje pamë një princ shqiptar të vetëshpallur në një video të realizuar nga ai vetë në mënyrë të njëanshme ku atakohet fizikisht dhe verbalisht nga bashkëshortja në prag divorci e që tash po akuzojnë njëri-tjetrin për dhunë reciproke.
Pakkush mund t’i ketë shpëtuar tundimit për të mos e parë këtë video e cila lehtësisht, u bë e aksesueshme në kohë fare të shkurtër për miliona sy shqiptarësh, për shkak të evolimit teknologjik, rrjeteve sociale, mundësisë për të prodhuar para pa mundim dhe kotësia e ditës së disa njerëzve.
LEXO EDHE:
- Video / Konflikti fizik në familjen mbretërore mes Elia Zaharias dhe Princit Leka: Ke goditur babain tim 70 vjeç që të ka mbajtur me bukë!
- Kush e publikoi videon e sherrit mes Princ Lekës dhe Elia Zaharias? Oborri Mbretëror përplaset me Policinë e Tiranës
- Dy muaj pas ndarjes së ‘paqtë’, Princ Leka dhe Elia Zaharia padisin njëri-tjetrin për dhunë. I përfshirë në sherr edhe babai i aktores
Edhe pse ka prodhuar, sofistikuar e forcuar kode që mbrojnë privatësinë, njerëzimi nuk ia ka rritur dot të fitojë mbi kërshërinë diabolike për të vjedhur jetën e tjetrit nga vrima e çelësit. Kjo ndodh edhe në shoqëritë e emancipuara, e doemos edhe në shoqëri si jona e cila njeh shumë pak skrupuj.
Ende nuk është shuar vala e lajmit kur tre fëmijë të sinkronizuar habitshëm në Shënavlash vrasin dhe groposin babain, para disa ditësh. Të tjera ngjarje me burim dhune në familje kanë ndodhur më herët. Madje aq shpesh, sa ndoshta në serinë e tyre të gjatë e të larmishme, video e djeshme nuk do të zinte një vend specifik. Por ja që për shkak se kjo familje i ka përcjellë shoqërisë përkatësi mbretërore -ku posaçërisht mbrojtja e familjes, morali, uniteti, e disa vlera të larta shoqërore janë të mbrojtura në mënyrë fanatike- videoja e fundit rrëzoi mitet e stisuara duke i bërë shqiptarët të mendojnë se: për sa kohë ndodhin banalitete dhune në një vatër ku uniteti, nderi, kombi, familja janë kaq sublime , atëherë për familjen poshtë majës së kësaj piramide shoqërore, gjëra të tilla janë të pritshme ....
Nëse videoja nuk do të ishte afishuar ndoshta ne nuk do t’i hynim këtij gjykimi, për ta lënë të qetë këtë familje në “mbretërimin e saj”. Por ja që ndodhi dhe tani jemi përballë një momenti tjetër që duhet të riformulojmë gjykimin tonë.
Rasti e tregoi se statusi shoqëror sado i lartë nuk të mbron e të përjashton doemos nga sjellje të tilla. Është personaliteti ai që kushtëzon. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë se në elita nuk futesh se do apo se ke para, apo se ke mundësi, e ca më keq të vetëshpallesh i tillë.
Elitat kanë ide dhe dije që mundohet t’ia shpërndajnë njerëzimit. Ne dje pamë një video të prodhuar shëmtuar që nuk reflekton dituri në çdo aspekt.
Nga ana tjetër as statusi, pasuria materiale dhe kredenciale e trashëguar nuk të shpëtojnë dot nga sjelljet e dënueshme etike dhe penale. Madje as arsimi, por edukimi dhe dija mund të ta frenojnë.
Sot në Shqipëri kemi një problem shumë të madh: atë të elitave fake që e sponsorizojnë veten përmes pasurisë pa asnjë kontribut tjetër shoqëror, përkundrejt fëmijëve që rriten të bullizuar e të turpëruar se rroga e prindërve nuk mjafton për t’u dhënë ato të drejta dhe merita të barabarta.
Kemi familje që luksin apo pasurinë e barazojnë me vetëarritjen njerëzore dhe se për shkak të kësaj mendësi arrijnë të deformojnë vlerat e vërteta që më pas sjellin konflikte sociale.
Ne si shoqëri duhet të kuptojmë njëherë e mirë, se pasuria, shkollimi nuk na bëjnë njerëz më të mirë. Ne sot kemi nevojë për shtylla morali dhe hierarki të fortë e të qartë vlerash. Është e pranuar që varfëria materiale ka ndikim të rëndësishëm në etikën dhe moralin e njerëzve. Në momente të jetës, mbijetesa si prioritet njerëzor, burimet e kufizuara dhe disavantazhi social mbivendoset mbi etikën dhe moralin e njerëzve. Por gabimi ynë është që e kemi marrë për të mirëqenë të kundërtën...
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.