Irena Beqiraj

Të ditur që s’dinë të mendojnë!


Besoj, çdonjëri nga ne mund të ketë njohur njerëz jashtëzakonisht të ditur dhe jashtëzakonisht racionalë, por që shpeshherë mund të jenë shfaqur indiferentë ndaj të vërtetës, në mohimin e gabimeve të tyre, paragjykues, arrogantë, apo lehtësisht të dekurajueshëm, frikacakë, shpërfillës, narcisistë dhe të prirur ndaj çdo lloj teprimi, duke treguar kështu se nuk janë në gjendje të mendojnë.

Pak njerëz e dinë se çfarë do të thotë të mendosh. Sepse, shpesh aftësia për të menduar ngatërrohet me aftësitë njohëse ose me diturinë.

Sipas psikologut Barry Schwartz “arti i të menduarit ka një dimension themelor, moral”.

Ndërsa sipas Tom Chatfield, autor i librit "Si të mendosh", përtej aftësive njohëse arti i të menduarit kërkon zotërimin "e  kuriozitetit" si vyrtyt qendror intelektual. Kurioziteti nënkupton njëfarë përulësie, pasi ai është një mënyrë e të pranuarit se ka diçka që nuk e di apo nuk e kupton. Kurioziteti nënkupton mendje të hapur, dëshirë për vetëpërmirësim, dhe është arma mbrojtëse më e mirë ndaj anshmërisë.

Për më tej, thelbi i ndryshimit midis aftësive njohëse edhe artit të të menduarit formëson ndryshimin midis arsimimit dhe edukimit.

Ndërsa arsimohemi kur mësojmë si të përdorim faktet, logjikën, mjetet sasiore etj, përsosim qartësinë tonë analitike, edukohemi kur mësojmë si të mendojmë, aftësi që e fitojmë vetëm kur përvetësojmë virtyte intelektuale edhe morale.  

A duhet të besojmë se profesorët e universitetit janë të trajnuar për t'u mësuar studentëve guximin, përulësinë, dashurinë për të vërtetën, apo ndonjë virtyt tjetër që nevojitet për të menduar?

Nëse jo profesorët e universiteteve, atëherë kush? Prindërit, mësuesit e shkollave fillore e të mesme? Apo media?

Në shekullin e Inteligjencës Artificiale, rrezikojmë "të përmbytemi nga "të diturit" që nuk dinë si të mendojnë. Ndaj para mësuesit të çfarëdo niveli qoftë, nga ai parashkollor deri tek ai universitar, ka vetëm një sfidë: të dijë të edukojë, jo thjesht të arsimojë.


Copyright © Gazeta “Si”