Gazeta Si - Princi Leka II ka përfituar një vit urdhër-mbrojtje ndaj Gjergj Zaharias, babait të ish-bashkëshortes së tij Elia Zaharia, me të cilën është në proces divorci.
Vendimi është marrë këtë të enjte nga Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi të shtyjë për në 27 mars seancën për urdhrin e mbrojtjes së Elias për shkak se mbrojtësit e saj nuk kishin sjellë provat që do të praqiteshin për gjykim.
Ka qenë Princi Leka ai që kishte denoncuar më herët se ishte dhunuar nga ish-vjehrri dhe ish-bashkëshortja e tij, situatë e cila u rëndua edhe më shumë pas një konflikti fizik në Pallatin Mbretëror në Tiranë.
Pretendim për “dhunë në familje” pati edhe Elia Zaharia ndaj Princit. Ishte videoskandali i pak javëve më parë, i cili ngjalli shumë reagime.
Në pamjet që u bënë publike më 6 mars 2024, shihej Princ Leka që filmonte, ndërsa Elia Zaharia e godiste disa herë duke e akuzuar se ai i kishte dhunuar të atin.
Princ Leka në dëshminë e tij ka thënë se shkoi të takonte të bijën 3 vjeçare dhe u sulmua fizikisht nga vjehrri i tij.
Ndërsa, Gjergj Zaharia, është shprehur se nuk ka forcë ta godasë një “burrë dy metra”, duke shtuar se ishte Princi ai që e nisi konfrontimin fizik.
Po ashtu, Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka nisur hetimet pas denoncimit të Princ Lekës për dhunë në familje nga ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i saj.
Organi i akuzës së kryerqytetit, do të verifikojë edhe publikimin e videos së konfliktit fizik mes Princit dhe Elia Zaharias të rrjedhur në media.
Në lidhje me këtë rast, Oborri Mbretëror ka akuzuar Policinë e Tiranës për shpërndarjen e videos, por zyra e shtypit të policisë e mohoi një gjë të tillë.
Para dy javësh, Gjykata Civile e Tiranës vendosi që kur Leka dëshiron të takojë vajzën, nuk duhet të jetë Elia, por në prani do të jetë një dado. Palët duhet të mbajnë distancë 5 metra larg njeri-tjetrit.
Çifti e njoftoi ndarjen në rrjetet sociale rreth dy muaj më parë, ndërsa procesi i divorcit ende nuk është përmbyllur ligjërisht.
Në vitin 2016 Elia Zaharia dhe Princ Leka u martuan në një ceremoni që mori jo pak vëmendje. 4 vite më vonë ata sollën në jetë një vajzë, të cilës i vendosën emrin e gjyshes së Princit Leka II, Geraldinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.