Nga Gazeta ‘SI’ – Institucionet shtetërore kanë nisur tranzicionin energjetik, duke filluar nga Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Projekti nisi nga DPSHTRR Berat e cila me anë të paneleve solare të instaluara mund të përmbushë deri në 40% të nevojës vjetore për energji.
Lajmin e dha zv.kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bashkë me drejtorin e DPSHTRR-së Ilir Mëngra.
Balluku tha se shumë shpejt, tranzicioni do të ndodhë dhe në drejtorinë e Durrësit e Tiranës.
“DPSHTRR ka nisur një program i cili nisë nga Berati, por do të zhvillohet edhe në Tiranë dhe Durrës për vendosjen e paneleve fotovoltaike të cilat përdoren për konsumin e vetë ndërmarrjes. Republika e Shqipërisë ka prej kohësh një kuadër ligjor i cili lejon të gjitha ato entitete, qofshin shtetërore apo private, që të ndërtojnë parqet e tyre fotovoltaike, brenda territoreve, ku ata operojnë dhe këto të shërbejnë për të plotësuar nevojat. Sigurisht një park fotovoltaik nuk plotëson 100% të nevojave, duke qenë se prodhon vetëm gjatës kohës kur ka diell, por nga ana tjetër ka dhe një instrument shumë të mirë që është ai i shkëmbimit të energjisë me OSHEE”, deklaroi ministrja Balluku.
Sipas Mëngrës, projekti është parashikuar që t’i shlyejë kostot e veta brenda një periudhe kohore 6 vjeçare.
Projekti synon të ulë kostot e energjisë dhe ndotjen mjedisore. 2 vite më parë, të gjitha institucionet shtetërore u urdhëruan të respektojnë një ‘regjim’ energjetik, për të ulur konsumin. Pjesë e nismës janë bërë edhe subjektet private dhe familjarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.