Nga Gazeta ‘Si’ – Tre zyrtarë të njësive elitare të Policisë së Kosovës janë futur në sistemin e kërkimit të Interpolit, pas kërkesës së shtetit rus.
Në këtë listë bëjnë pjesë shefi i njësitit elitar të Policisë së Kosovës, ‘FIT’, Alban Jetullahu, shefi i ‘RSU’, Besart Ahmeti, si dhe një zyrtar tjetër i Policisë së Kosovës.
Të tre ata kërkohen për arrestimin e një shtetasi rus në veri të Kosovës në maj të vitit 2019.
Më 31 maj të vitit 2019, Policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri të Mitrovicës kishte arrestuar 19 pjesëtarë të policisë të cilët kanë qenë të dyshimtë, 10 qytetarë që kanë qenë të dyshuar, 9 qytetarë të tjerë të cilët kanë penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës si dhe 1 zyrtar të UNMIK-ut, me nënshtetësi ruse.
Sipas njoftimit të atëhershëm të Policisë së Kosovës dyshohej se pas një rezistence të armatosur me armë zjarri nga persona të dyshimtë në veri dhe vendosjen e disa barrikadave shtetasi rus kishte ndihmuar protestuesit e dhunshëm.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar sot(4 mars) se është informuar zyrtarisht për fletë-arrestin ndërkombëtar ndaj komandantit të Njësisë Speciale, Besart Ahmeti.
“Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë, Besarti është mirë… e dimë, e kemi informatën zyrtare por nuk është ajo brenga as e imja, as e Besartit”, deklaroi Sveçla para mediave kosovare.
Fletë arrestet e Rusisë ndaj pjesëtareve të Policisë së Kosovës vijnë pak muaj pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë dhe si kundërpërgjigje ndaj flet-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për kryekriminelin serb të veriut, Milan Radoiçiç dhe disa pjesëmarrës të tjerë në sulmin terrorist në Banjskë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.