Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi pronës me zjarr” për zjarrin e rënë në Urgjencën e Qendrën Spitalore ‘Nënë Tereza’.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar procedimin penal 1578, dt.29.02.2024 për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.
Ky procedim penal, është regjistruar pa persona në hetim, për të hetuar mbi zjarrin e rënë në katin e parë të Urgjencë së Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’ në orët e para të mëngjesit të 11.02.2024.
Nga ana e prokurorisë është urdhëruar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit.
Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së Tiranës.
Zjarri u raportua rreth orës 05:30 në katin e parë të ndërtesës më 11 shkurt, ku fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Fillimisht u tha se shkak ishte bërë një shkëndijë elektrike, megjithatë pritet që më shumë detaje të dalin në vijim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.