Shendet

Mbyllet hemodinamika në QSUT, pezullohen analizat e koronares, shkak zjarri i së dielës

Nga Gazeta Si- "Bashkëshorti im është pacient kronik dhe vuan nga insuficenca kardiake. Për shkak të riskut të lartë të një infarkti të miokardit, apo arrestit kardiak, mjekët i kanë rekomanduar implantimin e defribrilatorit ose ICD.

Por para se të kryejë ndërhyrjen, duhet të bëjë analizën e koronares e cila ofrohet dhe në sistemin publik, në shërbimin e hemodinamikës.

Brenda një jave ai duhet ti përfundojë analizat e kërkuara por ky shërbim është i mbyllur.

Shqetësimi i Mirës nuk është i vetmi. Të tjerë pacientë në risk presin ta bëjnë koronaren sipas datës së planifikuar, ose më keq akoma, rastet urgjente që presin të hyjnë në sallë.

Familjarët e pacientëve kardiakë, i thanë Gazetasi.al se mjekët specialistë në shërbimin e Hemodinamikës u kanë pohuar se shkak i mbylljes së shërbimit është zjarri që ra më 11 shkurt (e diel), në katin e parë të godinës së QSUT.

Por teksa java po mbyllet, duket se pacientët do të duhet të presin akoma, ndërsa rastet e rënda ta kryejnë këtë analizë në shërbimin privat, me kosto të lartë.

Ne u interesuam pranë shërbimit të Hemodinamikës por nga ana e tyre nuk pati asnjë përgjigje zyrtare se si është menduar zgjidhja e kësaj situate. Gjithashtu, as burimet zyrtare të QSUT nuk kanë reaguar për të shpjeguar se kur do të nisë punën shërbimi i Hemodinamikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë