Drejtësia

Zjarri te Urgjenca e re në QSUT, Prokuroria e Tiranës nis hetimet

Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Shkatërrimi pronës me zjarr” për zjarrin e rënë në Urgjencën e Qendrën Spitalore ‘Nënë Tereza’.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar procedimin penal 1578, dt.29.02.2024 për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.

Ky procedim penal, është regjistruar pa persona në hetim, për të hetuar mbi zjarrin e rënë në katin e parë të Urgjencë së Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’ në orët e para të mëngjesit të 11.02.2024.

Nga ana e prokurorisë është urdhëruar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit.

Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së Tiranës.

Zjarri u raportua rreth orës 05:30 në katin e parë të ndërtesës më 11 shkurt, ku fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Fillimisht u tha se shkak ishte bërë një shkëndijë elektrike, megjithatë pritet që më shumë detaje të dalin në vijim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë