Gazeta Si - Vrasja e një 40-vjeçari dhe më pas vetëvrasja e autorit në ngjarjen e ndodhur në Korçë mbërmjen e të mërkurës, dyshohet se shkak ka një mosmarrëveshje për pronësinë e një shtëpie. Është pikërisht kjo pista kryesore për të cilën po heton policia.
Sipas burimeve paraprake, babai i autorit, Ilo Lluka, i cili vrau në mes të rrugës 40-vjeçarin Emiljano Pine, bashkëjetonte me nënën e këtij të fundit.
Mësohet se babai i autorit, shtëpinë e tij kishte vendosur t’ia linte trashëgim djalit të bashkëjetueses, Emiljano Pine, i cili humbi jetën rrugës për në spital.
Kjo duket se nuk është pranuar nga i biri, i cili ka vendosur të “zgjidhë” gjithçka me plumba ndaj Pines dhe vetes së tij.
Ilo Lluka ka shkuar në vendin e ngjarjes, aty ku Pine ka qenë në lokal duke pirë kafe, të cilit i ka kërkuar për të dalë jashtë dhe në momentin që ka qenë te porta e lokalit, e ka qëlluar disa herë duke e lënë të plagosur rëndë. Pas këtij momenti, 61-vjeçari qëlluar veten duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Pas njoftimit për të shtëna me armë zjarri, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur dy trupat të pajetë që shfaqen shumë pranë njëri tjetrit.
Ilo Lluka ishte emigrant, jetonte në Greqi dhe pasi ka mësuar vendimin e të atit për shtëpinë, është kthyer në Korçë.
Nëna e Emiljanos kujdesej për shkak të pamundësive të tij fizike dhe moshës. Sipas banorëve, babai i Emiljanos kishte 1 vit që kishte ndërruar jetë dhe ata e vazhdonin bashkëjetesën.
61-vjeçari Lluka, njihet si përdorues i pijeve alkoolike, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore ende nuk e ka konfirmuar nëse ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin kur kreu krimin.
Një prej banorëve të lagjes, ku ndodhi ngjarja, është shprehur se Emiljano ishte djalë i shkëlqyer dhe nëna e tij kujdesej në shtëpi për babain e Ilos prej disa vitesh.
“Isha në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Dëgjova krisma, dola jashtë dhe i pashë të dy të shtrirë në rrugë. I njihja të dy personat. Emiljano ishte djalë i shkëlqyer. Nëna e Emiljanos e mbante në shtëpi babain e Ilos prej disa vitesh dhe kujdesej për të, që kur ishte edhe i shoqi gjallë”, - tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.