Nga Gazeta ‘Si’-Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi është takuar mëngjesin e sotëm me kryeministrin serb, Vuçiç.
Kamberi i ka prezantuar kryeministrit të Serbisë disa kërkesa për shqiptarët, ndërsa i ka bërë me dije se nuk janë të interesuar për asnjë pozitë në nivel qendror.
Sipas Kamberit, në këtë takim i kanë kërkuar Vuçiçit që Serbia të ndryshojë qasje ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të zbatohet “Plani 7-pikësh”.
Postimi i plotë:
Bashkë me Nevzadin, kryetarin e Këshillit kombëtar shqiptar dhe Rahimin, personin e autorizuar të Listës zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, në kuadër të konsultimeve për themelimin e qeverisë, takuam presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Presidentit Vuçiç i prezantuam kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës të bazuara në Planin 7 pikësh, ripërsëritëm qëndrimin tonë të përbashkët se nuk jemi të interesuar për asnjë pozitë në nivel qendror por që konsiderojmë se avancimi i të drejtave të shqiptarëve është interesi jonë i vetëm dhe ai duhet të fillojë nga institucionet shtetërore të nivelit lokal e rajonal.
Qasja e shtetit ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë.
Rasti i mjekëve të diskriminuar të Preshevës kërkon zgjidhje urgjente, njëjtë sikur integrimi i shqiptarëve të kualifikuar në polici.
Me presidentin Vuçiç diskutuam edhe për nevojën e privatizimit të Banjës së Bujanocit, rritjes së investimeve në nivel lokal dhe ndaljen e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Shkollat në gjuhën shqipe dhe përmirësimi i infrastrukturës në to do të duhej të jenë agjendë e qeverisë së re, ndërsa riemërimi i shkollës në Bilaç “Ismail Kadare” do duhej të siguronte qasje konstruktive të ministrisë.
Diplomat kërkojnë zgjidhje urgjente. Nga to varet edhe avancimi i pozitës së shqiptarëve të Luginës dhe sigurimi i një perspektive më të mirë për të gjithë.
Institucionet shtetërore në nivel lokal duhet të hapin dyert për integrimin e shqiptarëve. Mbyllja e tyre nënkupton përjashtim të popullsisë shumicë në Luginë të Preshevës.
Beteja jonë në realizim e kërkesave tona vazhdon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.